Drejtësia

Apeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, dënohet me 2 vite burg ‘Rrumi i Shijakut’

Gazeta Si – Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke dënuar me 2 vite burg në mungesë falë gjykimit të shkurtuar Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Sipas hetimeve te SPAK, ka rezultuar se Aleksandër Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku shumën prej 600 mijë lekë dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronesie.

Sipas SPAK, Laho e ka dhënë ryshfetin për mosankimin në Apel të një çështjeje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.

Në atë kohë Lahos iu sekuestrua telefoni, nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të avokaturës së shtetit për rastin korruptiv. Kjo është pranuar edhe nga Kërçuku, i cili është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit.

Pëllumb Muharremi i njohur edhe me emrin Aleksandër Laho, e “Rrumi i Shijakut”, ndodhet në kërkim prej disa vitesh nga SPAK për disa vepra penale.

Laho mbeti i plagosur në vitin 2019 në atentatin që iu bë prokurorit të Durresit asokohe, Arjan Ndoj, i cili nga shtatori që vjen do të jetë deputet i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë