Nga Gazeta 'SI' - Apeli i Posaçëm ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë arrest me burg për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe detyrim paraqitje për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.
Në daljen e saj për mediat pas mbylljes së seancës, Kryemadhi akuzoi SPAK se ka bërë falsifikime keqdashëse për deklarimet e pasurisë së tyre dhe shtoi se prokurorët ishin të papërgatitur përballë fakteve të ardhura nga SHBA dhe Çekia.
“Prokurorët ishin të papërgatitur përballë fakteve dhe fashikujve që kanë ardhur nga SHBA, Çekia dhe Austria. Profesionalizmi i SPAK ishte në nivelin e një studenti të vitit të parë të juridik . Aludimet e tyre qesharake, të bazuara në falsifikime. Këto falsifikime kanë qenë keqdashëse. Kalkulimet dhe analizat financiare e pa bërë nga SPAK rezultoi të falsifikojë me keqdashje deklarimet e pasurive tona. Rezulton që edhe nga letër-porositë që kanë ardhur nga SHBA, përsëri i bie të ketë një deklaratë të rremë të cilat në SHBA dënohen me 5 vite burg. Prokurorët ishin të papërgatitur, kaluan në artikujt e mediave”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh se nuk merret më me politikë, ndonëse është ende deputete në Kuvend, teksa shtoi se në të ardhmen misioni i saj do të jetë sensibilizimi i publikut për personat që nuk duhet të kandidojnë.
“Unë nuk merrem më me politikë, unë do të merrem me sensibilizimin e opinionit publik përsa i përket manipulimit dhe Luftës së Tretë Botërore që është fake news-i. Nuk kam dëshirë për të kandiduar, por nuk do të lejoj njerëzit jo të duhur që të kandidojnë”, tha Kryemadhi.
Edhe Genc Gjokutaj, avokati i kreut të PL-së, Ilir Meta, foli pas seancës së Gjykatës së Apelit që cili la në fuqi masën e arrestit me burg.
“Shkaku për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë dhe i Apeli që e la në fuqi sot, pra dëmtimi i mbledhjes së provave, procesi i mbledhjes së provave ka përfunduar dhe si rrjedhojë vendimi i shkallës së parë dhe i apelit janë të pajustifikuar”, theksoi Gjokutaj.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.