Drejtësia

Apeli lë në burg agresorin e Sali Berishës, 31-vjeçari: Dua të iki në shtëpi, kam për të pirë ilaçet

Gazeta Si - Gjykata e Apelit vendosi ta lerë në burg Gert Shehun, 31-vjeçarin që goditi me grusht kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë protestës së 6 dhjetorit në Tiranë.

Në seancën e kësaj të mërkure, nuk u mor parasysh kërkesa e avokatëve të Shehut për t’i ndryshuar atij masën e sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”, ose shtrim i detyruar në spitalin psikiatrik.

Mësohet se para togave të zeza, 31-vjeçari ka thënë: “Dua të iki në shtëpi se jam djalë i vetëm dhe dua të marr ilaçet për mjekim”.

Nëpërmjet avokatëve të tij, ai dorëzoi në 22 dhjetor një kërkesë në Gjykatën e Apelit të Tiranës ku kërkoi lirimin.

I riu akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje ndaj kreut të Partisë Demokratike, Berisha.

Gert Shehu ka pasur precedent të mëparshëm penalë, pasi fillimisht është arrestuar me kanabis.

Ndërsa në vitin 2017, është gjobitur për rrahjen e një personi. Po ashtu është ndaluar nga policia edhe për prishje të qetësisë publike.

Ish-kryeministri Sali Berisha u sulmua më 6 dhjetor papritur nga 31-vjeçari, ndërsa po ecte nga selia e partisë së bashku në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku po niste një protestë kundër kryeministrit Edi Rama.

Më herët, Berisha kishte deklaruar se e fal autorin dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për sulmin.

Ndërkohë, mjeku psikiatër Sadik Lala publikoi një dokument, ku shfaqej se 31 vjeçari vuante nga një “Çrregullim psikotik i papërcaktuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë