Drejtësia

Apeli i Tiranës lë në burg CEO-n dhe ish-drejtorin e ‘Bankers Petrolium’. Zbuten masat për të tjerët

Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, lanë në arrest me burg, CEO-n aktual i kompanisë, Hongping Xiao dhe ish-drejtorin, Leonidha Çobo, duke konfirmuar kështu masat “arrest me burg” të lëshuara nga Gjykata e Fierit më herët.

Po ashtu, Apeli i Tiranës vendosi që njërës prej akuzuarave, e cila më herët i ishte vendosur masa “arrest shtëpie”, t’i zbutej në “detyrim paraqitje”, duke marrë parasysh arsyetimin se është nënë e një fëmije 2 vjeç.

Sa i përket 3 të akuzuarve të tjerë, të cilët më herët ishin me “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit, Apeli vendosi të heqë kufizimin e fundit, duke lënë në fuqi vetëm masën “detyrim paraqitje”.

Kështu, me vendimin e sotëm, Gjykata e Apelit në Tiranë, konfirmoi 2 masat e sigurisë “arrest me burg”, la në “arrest shtëpie” 4 prej të akuzuarve dhe vendosi “detyrim paraqitje” për 4 të tjerët.

Hetimet për “Bankers Petroleum Albania LTD” kanë nisur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor.

Gjatë këtyre muajve, prokuroria thotë se në bashkëpunim të ngushtë me “Tatimet” kanë grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer disa vepra penale.

Nga hetimi rezulton se “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Ndërkohë shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje.

Më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë