Gazeta Si – Noterja Rezarta Koçi, e arrestuar dy javë më parë për mashtrim dhe shpërdorim të detyrës, është lënë në burg nga Gjykata e Apelit në Tiranë.
Hetimet kishin nisur pas 4 kallëzimeve që ishin bërë nga qytetarë të ndryshëm ndaj noteres, por vetëm një prej tyre ishte për akuzën e mashtrimit.
Nga hetimet, dyshohet se 40-vjeçarja, gjatë kohës që përgatiste dokumentacionin, nuk hapte llogari të ngrirë bankare për transferimin e parave nga pala blerëse tek ajo shitëse, por në kundërshtim me ligjin përdorte llogarinë e saj personale.
Mashtrimet e Koçit u zbuluan nga qytetarët që ishin palë shitëse, pasi nuk merrnin asnjë shumë lekësh edhe pse certifikata e shtëpisë apo biznesit që shisnin kalonte në emër të palës blerëse.
Klientët e saj, Koçi i mashtronte duke i thënë se do t’i kalonte nga dita në ditë. Referuar kallëzimeve numri i qytetarëve të mashtruar nga noterja, dyshohet se është mjaft i lartë.
Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Në nëntor 2021, në zonën e “Komunës së Parisit”, as iu vendos një sasi tritoli poshtë makinës së saj “Range Rover” që ishte e parkuar, ku për fat të mirë nuk pati të lënduar.
Rezarta Koçi është një emër i njohur, pasi ka shërbyer si asistente e ish-ministrit Eduard Halimi dhe punon si pedagoge në një universitet privat.
Ajo mbeti pa licencën e noteres në maj 2021, pasi një ankesë në Ministrinë e Drejtësisë solli nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj dhe heqjen përgjithmonë të licencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




