Gazeta Si – Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Sandër Beci (relatori), Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, shqyrtoi padinë e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe Këshilli i Ministrave për konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion për pezullimin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pasi treshja nuk arriti të dilte me një vendim unanim, vendosi të kalojë çështjen në mbledhjen me tetë gjyqtarë të Kushtetueses, e cila ende nuk dihet se kur do të mbahet dhe nëse do të jetë transparente për publikun.
“Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare dhe në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.
Ligji përcakton se në rastin kur Kolegji nuk arrin unanimet, çështja i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve, që do duhet të vendosë nëse ankimi i qeverisë do të kalojë në seancë plenare për gjykim. Nëse çështja kalon për shqyrtim, Kushtetuesja do duhet fillimisht të shprehet për kërkesën për pezullimin e vendimit të GJKKO-së, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit.
Po sot, Balluku ka ankimuar në GJKKO dy masat e sigurisë të vendosura ndaj saj, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, pasi është e pandehur për shkelje me tenderin e Llogarasë dhe në hetim për lotin 4 të Unazës së Madhe.
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Numri dy i kabinetit u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.
Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun.
Masa e “arrestit në shtëpi” u caktua për kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi, pas hetimeve të kryera për Unazën, specifikisht lotin e katërt të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



