Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të pranojë ankimimin e SPAK, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të shkallës së parë të GJKKO-së, që kërkonte nisjen e hetimeve ndaj deputetes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.
Vendimi vjen pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila kishte urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të regjistronte kallëzimin penal dhe të niste hetimet për çështjen në fjalë.
SPAK e ankimoi këtë vendim, duke argumentuar se nga hetimet paraprake nuk ishin gjetur elementë të veprës penale.
Sipas SPAK, janë kryer një sërë veprimesh hetimore që përfshinin edhe veprimtarinë e bashkëshortit të Xhaçkës, Artan Gaçit, përfshirë rolin e tij të mundshëm në dijeni apo bashkëpunim të supozuar për dokumente të dyshuara të falsifikuara, përmes të cilave ishte përfituar truall.
Prokuroria e Posaçme kishte kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila më 1 prill 2025 urdhëroi regjistrimin e kallëzimit penal dhe nisjen e hetimeve ndaj çiftit, në lidhje me ndërtimin e një resorti buzë detit, shpallur më herët nga qeveria si “investim strategjik”.
Organi i akuzës ndër të tjera sqaron se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiksuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.
Sipas SPAK, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi, Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.
Në 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK të hetojë Artan Gaçin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “pastrim parash” kryer në bashkëpunim dhe Xhaçkën për “shpërdorim detyre”.
Vendimi i gjykatës erdhi pas ankimit të bërë nga ish kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, i cili kërkoi të hetohej Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, lidhur me kallëzimin që ai më herët depozutoi për Jorgo Goron, i cili mbahet në burg që prej marsit të vitit 2023.
Megjithatë, Apeli i Posaçëm vendosi sot të mos çelë hetim penal ndaj çiftit Xhaçka-Gaçi, duke mbështetur qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme për mbylljen e çështjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.