Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në qeli Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kishte ankimuar vendimin e datës 13 gusht, kur Gjykata e Posaçme e la në burg.
Gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela, në 13 gusht e konsideroi të pabazuar kërkesën e Ilir Metës për t’u liruar dhe për këtë arsye ish-Presidenti vijon të mbahet si i paraburgosur në burgun 313.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik dhe në fund të gushtit e dërgoi dosjen për gjykim, duke bashkuar në një çështje të vetme hetimet për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së (sot Partia e Lirisë) në SHBA dhe pasurinë e padeklaruar.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën tjetër të Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg”. Ish-presidenti pretendoi se prokuroria kishte tejkaluar afatin ligjor të 12 muajve për dërgimin e çështjes në gjykatë, por gjyqtarja Irena Gjoka e cilësoi këtë pretendim të pabazuar në ligj.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë.
Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash.
Gjatë një viti paraburgim, Meta ka bërë disa herë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, por të gjitha janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila më 16 tetor konfirmoi mbajtjen e tij në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



