Drejtësia

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi dënimin për ish-shefin e Krimeve Leonard Palushi

Gazeta Si – I akuzuar për prishje provash kundrejt shpërblimeve të afruar nga Erjon Alibej, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 3 vite e 6 muaj, burg ish oficerin e policisë të Elbasanit, Leonard Palushi.

Ai akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.”

Sipas njoftimit zyrtar nga Apeli, mësohet se Palushit i është zbritur 1/3 e dënimit dhe përfundimisht ai do qëndrojë në qeli për 2 vite e 4 muaj burg. Përpos heqjes së lirisë, ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 5 vjeç.

Leonard Palushi u vu në pranga pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Palushi akuzohet nga SPAK se ka përfituar një makinë tip Benz nga Erjon Alibej, personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, tashmë i arrestuar për dy vrasje në këtë qytet.

SPAK thotë se Palushi ndihmoi Alibejn të devijonte hetimet për njërën nga vrasjet, duke implikuar persona të tjerë. 

Palushi akuzohet orientim të gabuar të hetimit duke shpërdoruar detyrën lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit.

Për vrasjen e tij, u arrestuan 4 persona, mes tyre edhe babë e bir, A. dhe S. Manahasa nga Peqini, pasi u dyshua se në servisin e tyre u gjet e njëjta armë zjarri e përdorur në krim.

Por nga ana tjetër, sipas Nuredin Dumanit, vrasja ishte kryer nga Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj me porosi të Erjon Alibejt.

Ky i fundit, porositi vrasjen, pasi kishte informacione se Ramazani kishte bashkëpunuar në atentatin që iu bë vëllait të tij, Endrit Alibej në Elbasan tre vjet më parë, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë