Gazeta Si - Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, është lënë në burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjithashtu, kjo gjykatë kanë lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së për Alma Kaçin, duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj saj.
“Keni gjëra më të rëndësishme për t’u marrë”, - tha Alma në prononcimin e saj të parë për mediat gjatë daljes nga GJKKO.
Gruaja 40-vjeçare akuzohet se është personi që ka regjistruar videon intime në zyrën e Gjicit.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit ankimoi masën e arrestit me burg, nëpërmjet avokatit të tij, me argumentin se tenderi që flitet në video nuk është shpallur asnjëherë nga Bashkia e Kukësit dhe se klienti i tij nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjit.
Nga ana tjetër, Alma Kaçi kërkoi zbutjen e masës së sigurisë. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit, ajo kërkoi ndryshimin e masës “arrest shtëpie” pasi pretendon se është e vetmja që sjell të ardhura në familje.
Kaçi kërkoi një masë më të butë se ajo e arrestit në shtëpi, si detyrim paraqitje ose atë të bllokimit të pasaportës dhe të vijojë hetimet në gjendje të lirë, sa i takon veprës penale të korrupsionit aktiv.
Edhe gjatë ditës së sotme, teksa shoqërohej nga policia drejt dyerve të gjykatës, Kaçi mbante në kokë një kapele dhe syze dielli.
Safet Gjici u arrestua më 24 qershor 2023 në Tiranë për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçi, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.