Gazeta Si- Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar ankimin e Valbona Xoxës, mamasë së Ajola Xoxës dhe vjehrrës së Erion Veliajt, mbi sekuestrot e vendosura nga Shkalla e Parë, për vilën në Qerret, si dhe pasuritë e tjera, burimi i të cilave vijon të jetë në hetim nga SPAK.
Po sot, GJKKO e shtyu për të mërkurën (12 mars) vendimin për ankimimin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt për sekuestron e llogarive bankare nga SPAK.
Seanca do mbahet në orën 09:30. Në seancë ishte i pranishëm vetëm prokurori Olsi Dado, i cili këtë të hënë ka paraqitur disa akte shtesë në dosjen e akuzave ndaj kryebashkiakut dhe familjarëve të tij.
Sipas vendimit të datës 12 shkurt, ku iu ndryshua masa nga “arrest shtëpie”, në “detyrim paraqitje”, Xoxa ka edhe detyrimin për t’u paraqitur të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00.
Fillimisht, Xoxës iu caktua masa “arrest në shtëpi”, por pas tre ditësh, GJKKO ia lehtësoi masën, për shkak të djalit të vogël, duke qenë se dhe Erion Veliaj ndodhet në burg.



Ajola Xoxa akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Nga hetimi i SPAK, ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Sakaq, Apeli i Posaçëm, ka caktuar 11 marsin (nesër), si ditën kur do të shqyrtojë ankimin e depozituar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili kërkon nga Gjykata e Posaçme caktimin e një mase më të butë se ajo e “arrestit me burg”.
Kërkesën e Veliajt në Apel do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi. Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet dhe ankimi i biznesmenëve Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi.
SPAK i akuzon ata se në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


