Drejtësia

Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron për 25 pasuritë e çiftit Malltezi

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sekuestros preventive të caktuar ndaj 25 pasurive të çiftit Argita dhe Jamarbër Malltezi.

Gjyqtari Engert Pëllumbi rrëzoi kërkesën e bërë nga çifti për lirimin e pasurive të tyre, mes të cilave janë llogari bankare, njësi biznesi, apartamente e prona të paluajtshme. Më herët edhe gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron.

Jamarbër Malltezi është nën akuzë për “korrupsion” dhe për “pastrim parash”, i pandehur për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij Sali Berisha, ish-kryeministër i vendit.

Avokatët e Malltezit pretendojnë se pasuria e tij është e ngritur mbi burime të ligjshme dhe nuk lidhet me asnjë formë të veprave penale.

Vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, kanë ankimuar vazhdimisht sa i takon vendimit për sekuestrimin e 25 pasurive, prej 2 vitesh.

Në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive për 25 pasuri në emër të çiftit të bashkëshortëve, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi zotëron aksione të rëndësishme.

Lista e plotë e pasurive të sekuestruara

– Shuma monetare të sekuestruara në disa llogari bankare në euro, lekë dhe dollarë amerikanë, në emër të Jamarbër Malltezit.

– Apartament me sipërfaqe rreth 128 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.

– Bodrum me sipërfaqe rreth 18 m², në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.

– Bodrum me sipërfaqe rreth 28 m², në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.

– Apartament me sipërfaqe rreth 195 m², i ndodhur në rrugën “Mustafa Matohiti”, Tiranë.

– Apartament me sipërfaqe rreth 102 m², në zonën e rrugës “Mustafa Matohiti”, Tiranë.

– Apartament me sipërfaqe rreth 208 m², i ndodhur në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë.

– Pasuri e paluajtshme e regjistruar në zonën kadastrale 8270, Tiranë.

– Pasuri e paluajtshme në bashkëpronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit.

– Apartament me sipërfaqe rreth 346 m², me sipërfaqe të përbashkëta ndërtimi.

– Apartament me sipërfaqe rreth 356 m², me sipërfaqe të përbashkëta ndërtimi.

– Njësi shërbimi me sipërfaqe rreth 459 m², me sipërfaqe të përbashkëta.

– Njësi shërbimi me sipërfaqe rreth 379 m², me sipërfaqe të përbashkëta.

– Apartament me sipërfaqe rreth 375 m², me sipërfaqe të përbashkëta.

– Truall dhe vilë (apartament dupleks) me sipërfaqe ndërtimi në dy kate, përfshirë verandë.

– Njësi e ndodhur në katin përdhe të një godine shumëkatëshe, në rrugën “Frosina Plaku”, Tiranë.

– Kuota të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën e ndërtimit dhe projektimit.

– Kuota të plota të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën imobiliare.

– Kuota shumicë të kapitalit themeltar në një shoqëri tregtare në fushën e fitness-it dhe aktiviteteve sportive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë