Politike

Apeli i GJKKO e la në burg, Ilir Meta ankimon në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Lartë për zbutjen e masës “arrest në burg” të caktuar ndaj tij me kërkesë të SPAK.

Avokatët e ish-presidentit kanë depozituar pranë kësaj gjykate ankimimin e masës. Gjykata e Lartë ka regjistruar rekursin e bërë nga mbrojtja e Metës. 

Pritet që ditët në vijim të caktohet data dhe trupa gjykuese për shqyrtimin e rekursit. Meta kërkon prishjen e vendimit të dy shkallëve të tjera të gjyqësorit. 

Ndërkohë, GJKKO ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë paraprake në ngarkim të ish-presidentit Meta dhe katër personave të tjerë që janë marrë të pandehur nga SPAK. Kërkesa do shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u caktua nga shorti elektronik që u hodh javën e kaluar.

Gjoka do shqyrtojë kërkesën e SPAK për të kaluar dosjen për gjykim, ndërkohë që ka në dorë edhe dy opsione të tjera, ta kthejë sërish dosjen në Prokurorinë e Posaçme ose të pushojë hetimet. SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë