Politike

Apeli cakton ‘detyrim paraqitje’ për Berishën, 2 herë në muaj

Nga Gazeta ‘SI’ – Ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet dy herë në muaj para policisë gjyqësore.

Kjo është masa që ka vendosur Gjykata e Posaçme e Apelit pas ankimimit nga SPAK për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak.

Sipas mbrojtjes së Berishës, avokatit Genc Gjokutaj, ky është një vendim i paqartë.

“Gjykata e Apelit e GJKKO vendosi zëvendësimin e masës. Ne jemi të paqartë për këtë vendim. Prokurori kërkonte vetëm që të merrej masa “arrest shtëpie”. Kjo gjykatë nuk është më pak e kapur se Gjykata Kushtetuese. Vijmë prapë në krye të herës te kjo histori. Vendimi nuk është zbardhur. Ky vendim është zgjidhja më e keqe që i është dhënë ndonjëherë, se nuk ka zgjidhur asnjë problem. Prokuroria në mënyrë arbitrare është nisur nga qëllime politike të ditës, duke zhdukur konceptin e “arrestit në shtëpi”. Ky është vendim i çuditshëm, por duhet ta lexojmë këtë vendim”, tha Gjokutaj për mediat.

Dy prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai e ankimuan këtë vendim me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet që gjykata ta nxirrte nga arresti shtëpiak ish-kryeministrin Sali Berisha. Por avokatët e kryedemokratit deklaruan se ky ankimim nga SPAK ishte i pavend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë