Këngëtarja Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë këtë mbrëmje me këngën “Karma”, në “Eurovision”.
Në gjysmëfinalen e dytë, ajo do të jetë e 11-ta në radhë për të performuar në skenën e madhe. Në të njëjtën mbrëmje do të prezantohen edhe Greqia, Serbia, Bullgaria, Zvicra, etj.
Anxhela Peristeri u shpall fituese e edicionit të 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH me këngën “Karma”, ndërsa përfaqëson dhe Shqipërinë në “Eurovision” këtë vit.
Këtë mbrëmje të datës 20 maj, në skenën e “Eurovision” do të interpretojë edhe një tjetër shqiptar.
Përveç Anxhela Peristerit, në skenë do të jetë edhe Gjon’s Tears në gjysmëfinalen europiane, që përfaqëson Zvicrën me këngën “Tout l’Univers””. Më parë u bë me dije se këngëtarja e njohur, Anxhela Peristeri ka kryesuar në sondazhin e veshjeve më të bukura në “Eurovision 2021”.
Nga sondazhi i “wiwibloggs” rezultoi se veshja e Anxhela Peristerit ishte më e bukura në tapetin e kuq të Moroccanoil Turquoise Carpet. “Eurovision Song Contest 2021” zhvilloi gjysmëfinalen e parë më datë 18 maj, dhe mbrëmjen e datës 22 maj do të jetë finalja në Ahoy, Rotterdam.
Mbrëmjen e së martës u mbajt nata e parë gjysmëfinale e festivalit “Eurovision”, ndërkohë janë përzgjedhur dhe shtetet e kësaj nate që do të vazhdojnë për në finale.
Nga 16 shtete që kishin të drejtë të performonin, vetëm 10 shtete arritën të sigurojnë një vend në finalen e madhe.
“Eurovision” në faqen zyrtare ka njoftuar se Norvegjia, Izraeli, Rusia, Azerbajxhani, Malta, Lituania, Çipro, Suedia, Belgjika dhe Ukraina janë kualifikuar për në natën finale më 22 maj.
Ndërkohë të mërkurën u njoftua që një anëtar i grupit përfaqësues të Islandës në “Eurovision 2021”, ka rezultuar pozitiv me covid-19.
Daði og Gagnamagnið do të mbetet në garë, por nuk interpretoi në provën e së mërkurës dhe bëhet me dije që pritet të mos jetë dhe në shfaqjen e drejtpërdrejtë të enjten kur edhe është gjysmëfinalja e dytë. Ishte frontmeni i grupit, Daði Freyr, i cili dha lajmin në Twitter.
Festivali Europian mbahet në Roterdam, Holandë, pas fitores së këtij shteti në edicionin e vitit 2019 me këngën “Arcade” nga Duncan Laurence.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.