Nga Luljeta Nelallari – Vokali i saj i fuqishëm, tingujt në nota herë të larta, herë të gëzuara e herë trishtuese, dominuan në garën me këngëtarët shqiptarë dhjetorin që lamë pas në Festivalin e 59 të Këngës e aromën e traditës tonë Anxhela Peristeri do ta përçojë edhe në skenën e madhe të Eurovizionit me këngën “Karma”.
Një muaj më parë ajo lançoi edhe klipin e plotë të këngës përfaqësuese, ku ajo vjen me një paraqitje të mahnitshme ndërsa shfaqet vetëm me dy veshje, një fustan të gjatë të bardhë e një të kuq.
“Karma”, një baladë e frymëzuar nga Ballkani na ‘përplas’ me elemente moderne dhe tradicionale shqiptare në elementët e saj. Kënga përshkruan portretin e një trazire të brendshme të një gruaje e cila fajëson veten për shkatërrimin e botës së saj.
Me këtë përzierje emocionuese tingujsh dhe ndjesish, Anxhela Peristerin do ta shohim më 20 maj të performojë në skenën e madhe, ku do të jetë e 11-a në radhë për të kënduar. E kur na ndan vetëm një muaj nga performanca e saj në këtë eveniment kaq të rëndësishëm, Peristeri rrëfen për Gazetën “Si” përgatitjet për “fluturimin” e këngës së saj në skenën e Rotterdamit, si do ta shohim në skenë dhe ethet që e shoqërojnë si konkurrente. Ajo është entuziaste që kënga do të paraqitet në gjuhën shqipe këtë vit dhe kjo zgjedhje sipas saj vjen për shkak të elementeve ballkanike të këngës.
Edhe pse për momentin gjendet në një miks emocionesh, Anxhela Peristeri premton se do t’i prezantojë denjësisht gjithë shqiptarët. E ne urojmë që natyra e saj energjike dhe shpirti i saj i destinuar për të përcjellë muzikë kudo, të shkëlqejë edhe në skenën jashtë Shqipërisë…
Ju do të përfaqësoni Shqipërinë më 20 maj në “Eurovision 2021” me këngën “Karma”, si po shkon përgatitja deri më tani për këtë event kaq të rëndësishëm?
Tani jemi në fazën e fundit të përgatitjeve tona, kemi përfunduar gati çdo gjë lidhur me pjesëmarrjen tonë, si videoklipi i këngës, imazhi dhe disa detaje të tjera dhe jemi në etapën e fundit të finalizimit të paraqitjes skenike.
Cili është koncepti i performancës në skenë dhe me kë po bashkëpunoni për performancën në skenën e madhe?
Koncepti i performanës skenike edhe për pak kohë do të mbetet sekret, pasi ende jemi në etapën e fundit të finalizimit të tij. Paraqitja skenike do të udhëhiqet nga Sacha and Jean Baptiste Group, e cila është një ndër emrat më të mëdhenj të Eurovisionit, kur bëhet fjalë për performancën skenike.
Vitet e kaluara, pjesa më e madhe e këngëve janë paraqitur në anglisht, pse kënga “Karma” është menduar të vijë në gjuhën shqipe, a do të kuptohet më mirë në shqip?
Që në fillimet e krijimit të këngës “Karma”, të gjitha dyert për gjuhën e këngës kanë qenë të hapura, pas fitores në Festival. Së bashku me ekipin tim, u ulëm dhe vendosëm se gjuha jonë, gjuha shqipe që është kaq e bukur për arsye se kënga kishte shumë elemente ballkanike; pra gjuha shqipe ishte ajo gjuhë që i përshtatej më shumë.
Këtë vit në Eurovision, për shkak të pandemisë do të ketë vetëm 3500 spektatorë. Duke qenë se këngëtarët janë mësuar para një audience të madhe, a do të ndikojë pjesëmarrja kaq e vogël negativisht?
Dua të cek se unë si pjesëmarrëse e këtij edicioni jam shumë e lumtur që këtë vit Eurovisioni po mbahet, edhe pse është në kushte përgjithësisht të vështira, por gjithsesi edhe pse audienca në sallë do të jetë e vogël, ne artistët pjesëmarrës do të ndiejmë dashurinë dhe mbështetjen e publikut dhe gjithashtu dhe teleshikuesve.
A kanë nisur për ty që tani ethet e performancës?
Sigurisht që ethet e performanës kanë filluar, por këto janë emocione të mira që ndihmojnë artistët. Ne jemi duke bërë tani gati çdo detaj të performancës tonë. Shpresojmë se çdo gjë do të shkojë për mrekulli, dhe do të bëjmë më të mirën tonë.
Cilën nga performancat e deritanishme të Shqipërisë në Eurovision vlerësoni më shumë?
Gjithë pjesëmarrjet tona deri tani kanë qenë të bukura, por gjithsesi Rona Nishliu është një nga emrat që do të përmendet gjithmonë me performancën e saj, që na bëri krenarë të gjithëve.
Sa e shihni Shqipërinë pretendente…
Pretendimi im kryesor është që të përfaqësoj Shqipërinë në mënyrë sa më dinjitoze dhe të bëj gjithë shqiptarët anembanë krenarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.