Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar tenderin 50 mln lekësh të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për hartimin e menysë së 100 fshatrave turistikë.
Në vendimin e marrë, KPP thotë se komisioni i vlerësimit të ofertave në FShZh nuk ka zbatuar ligjin në pjesën kur ka caktuar kriteret që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues.
Sipas Komisioni të Prokurimit Publik, kriteret e vendosura janë evazive dhe lënë në dorë të anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave interpretim të gjerë, jo plotësisht në përputhje me përcaktimet e ligjit për prokurimet publike.
Komisioni konstaton, se në dokumentet e tenderit dhe në ftesën për ofertë, autoriteti kontraktor i ka hartuar kriteret e vlerësimit teknik, pa përcaktuar se cilat janë eksperiencat e ngjashme të subjektit dhe vlerat e tyre; kapacitetet ekonomike dhe certifikatat e cilësisë; metodologjitë e propozuara; planifikimet dhe organizimet e stafit apo kualifikimet dhe eksperiencat e stafit, të cilat do të konsiderohen të mjaftueshme për të përfituar pikët maksimale për secilin nënkriter, duke mos e bërë të qartë për operatorët ekonomikë të ftuar se si duhet të hartojnë ofertat e tyre teknike.
“Kjo metodologji vlerësimi është evazive dhe e lë vlerësimin e propozimeve teknike tërësisht në subjektivitetin e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Komisioni gjykon, se autoriteti kontraktor duhet të kishte përcaktuar në mënyrë konkrete dokumentacionin dhe kualifikimet që duhet të disponojnë operatorët ekonomikë ofertues për secilin nënkriter, me qëllim përfitimin e pikëve maksimale”, thuhet në vendim.
Komisioni konstaton gjithashtu se kërkesat minimale të përcaktuara nga autoriteti kontraktor janë të njëjta me kriteret e kualifikimit, çka e bën të pakuptimtë vlerësimin teknik, për sa kohë që këto kritere janë plotësuar paraprakisht në fazën e parë të procedurës.
Vendimi i KPP ka mbërritur pas ankesës së bërë nga një bashkim operatorësh, që u përjashtuan nga gara në këtë tender.
Fondi i Shqiptar i Zhvillimit, në një prononcim me shkrim për Gazetën Si tha se për tenderin në fjalë procedura e ndjekur ishte plotësisht e rregullt dhe në përputhje me ligjet dhe objektivat që i ka vendosur vetes tenderin për krijimin e menysë së 100 fshatrave turistikë.
“Në kuadër të programit operacional 2021-2023, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, do të kryejë disa ndërhyje/projekte konkrete. Pjesë e këtij grupi ndërhyrjesh është dhe “Ndërhyrja për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e 100 Fshatrave”. Kjo ndërhyrje synon ridimensionim e fshatit shqiptar në një nivel të kënaqshëm në raport edhe me turizmin dhe jetën socio-ekonomike të banoreve që jetojnë ne to”, thuhet në përgjigjen me shkrim që FSHZH i ka kthyer kërkesës për informacion të Gazetasi.al.
Objektivat e vendosur, sipas FSHZH-së janë pesë, që nga ridimensionimi i sektorit të turizmit, përmirësimi i ofertës në përgjithësi dhe asaj gastronomike në veçanti, krijimi i menysë së 100 fshatrave, krijimi dhe certifikimi i markës së 100 fshatrave dhe ngritja e kapaciteteve mikpritëse në territoret e 100 fshatrave.
A është e tepruar shuma prej 50 mln lekësh për krijimin e menysë? FSHZH mendon që jo. Sipas këtij institucioni janë 4 drejtime ku do të punohet për krijimin e kësaj menyje deri në fund të vitit të ardhshëm.
Dyshimet dhe akuzat për këtë tender shpërthyen në media pas bërjes publik të emrit të fituesit, që ishte kuzhinieri i restorantit të djalit të kreut të FSHZH-së, Dritan Agolli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.