Protesta e planifikuar për ditën e sotme e Ligës Profesioniste me futbollistë e pjesëtarë të klubeve, përfshirë akademitë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë nuk do të zhvillohet. Zyrtarë të Ligës kanë zbuluar se për shkak të situatës me Covid, policia e shtetit nuk u ka dhënë leje klubeve të Kategorisë Superiore për të demonstruar pakënaqësinë ndaj refuzimit të qeverisë për plotësimin e 4 kërkesave primare të ndryshimeve ligjore për ekonominë e sportit shqiptar.

Javën e kaluar, Liga profesioniste e futbollit paralajmëroi një protestë të madhe të gjithë komunitetit të futbollit përpara kryeministrisë në mënyrë që të tërhiqnin vëmendjen për plotësimin e 4 kërkesave me karakter ekonomik, ku primar është ligji i sponsorizimeve. Në Shqipëri nuk po luhet futboll zyrtar prej muajsh për shkak të bojkotit me kampionatin që ishte parashikuar të niste më 12 shtator.

Liga Profesioniste do të mblidhet ditën e hënë për të përcaktuar hapin e radhës. Megjithatë, duket se brenda vetë Ligës ka filluar përçarja. Përplasja më e fortë është ajo mes presidentit të Kukësit, Safet Gjicit, dhe atij të Apolonisë, Koço Kokëdhima. Gjici e akuzon Kokëdhimën se po e përdor Ligën për përfitime dhe interesa personale. Kreu i klubit verior këmbëngul se kampionati duhet të nisë, pasi edhe shumë klube të tjera duan këtë gjë, ndërsa Kokëdhima e ka sulmuar Gjicin si një njeri me dy personalitete, që mban krahun e qeverisë, me të cilën ka lidhje të ngushta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




