Politike

Anulimi i seancës plenare, PD: Bie ndesh me çdo parim demokratik! Spiropali: Nuk më intimidojnë këto shfaqje degraduese

Nga Gazeta ‘Si’– Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dënuar vendimin për të anuluar sot seancën plenare.

Në një reagim thuhet se ky vendim është marrë pa u bërë asnjë konsultim, ndërsa shtohet gjithashtu se është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik.

“Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu kundërpërgjigj akuzave të PD.

Ajo i bëri thirrje Grupit Parlamentar të PD të reflektojnë sipas tij mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre. 

“Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës. 

Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë