Gazeta Si – Ka përfunduar bashkëpunimi mes Totenhemit dhe Kontes. Një vendim që pritej dhe që tashmë ka marrë formë zyrtare, pas komunikatës së klubit londinez. Skuadra i është besuar deri në fund të sezonit Kristian Stelinit, zëvendësit të Kontes.
“Njoftojmë se trajneri Antonio Konte ka lënë klubin, pas një akordi që kemi arritur. Kemi arritur të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve në sezonin e parë të Kontes, të cilin e falënderojmë për kontributin që ka dhënë dhe i urojmë më të mirat për të ardhmen. Stelini do ketë detyrën e trajnerit deri në fund të sezonit, bashkë me Rajan Mezon si ndihmës”, – shkruhet në komunikatën e klubit.

Presidenti i Totenhemit, Daniel Levi, ka komentuar: “Na mbeten edhe 10 ndeshje nga Premier Liga dhe duhet të luftojmë për një vend në Ligën e Kampionëve. Duhet të jemi të bashkuar. Të gjithë duhet të përpiqen për rezultatet më të mira për klubin tonë dhe tifozët fantastikë që kemi”.
Tashmë Konte është trajner i lirë. Në horizont duken Interi dhe Juventusi, por vendimi i takon vetëm atij dhe mbetet për t’u parë çfarë zgjedhje do të bëjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




