Viti 2020 do të nisë me një përplasje të re mes mazhorancës dhe Presidentit. Paketa Antishpifje e miratuar nga mazhoranca e majtë më 18 dhjetor të 2019 pret vendimin e kreut të shtetit nëse do ta dekretojë apo do ta kthejë për rishqyrtim. Dy ndërhyrjet në ligjet për AKEP dhe AMA që prekin rregullimet e kontrollin e medias online u miratuan në seancën e fundit parlmaentare, me një shumicë votash, ku opozita ishte përçarë pasi më shumë se 13 deputetë bashkuan votat me socialistët. Kjo nismë pati të vetmen votë abstenuese nga radhët e socilaistëve atë ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Deri më tani kreu i shtetit ka dekretuar ligjet e miratuara më 18 dhjetor si buxheti i shtetit, apo shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, paketën fiskale, apo për rivlerësimin e pasurive, por ka lënë pezull Paketën Antishpifje.
Por sipas procedurave, presidenti ka afat deri në 21 ditë për t’u shprehur për një ligj. Duke llogaritur ditët kalendarike, presidenti ka afat deri më 12 janar të shprehet në lidhje me paketën Antishpifje. Këtu llogariten edhe ditët e pushimit dhe të festave zyrtare.
Parlamenti sipas procedurave e nis sesionin e ri të hënën e tretë të janarit. Sipas llogaritjeve punimet e Parlamentit nisin më 20 janar edhe se sipas të gjitha gjasave mund të nisë punën me dekretin për rishqyrtimin e Paketës Antishpifje. Kjo për faktin se presidenti ka dhënë sinjale se mund ta kthejë për rishqyrtim, pasi ditë më parë ka deklaruar se do ta shikojë me kujdes dy nismat e paraqitura nga ana e Parlamentit.
Ndërkaq jo pa ironi, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament në shqyrtimin e projektligjeve, pati deklaruar se ka besimin se presidentit Meta do ta rikthente një nismë të tillë për rishqyrtim.
Votimi në Parlament i nismës “Antishpifje” u shoqërua me protestën e komunitetit të gazetarëve dhe të shoqatave të ndryshme për mbrojtjen e lirisë së medias, të cilët i bënë thirrje kryeministrit dhe mazhorancës që të mos e miratonin një ligj të tillë.

Pavarësisht këtyre thirrjeve edhe të organizmave ndërkombëtarëve, mazhoranca nuk u tërhoq nga miratimi i këtij drafti, që pritet të ketë jo pak pasoja në marrëdhëniet mes medias dhe qeverisë, si dhe përballja e Tiranës zyrtare përballë organizmave ndërkombëtare, si OSBE, KiE edhe BE që kanë kërkuar rishikimin e draftit, duke kontestuar kompetenca e AMA-s quasi gjyqësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.