Politike

Antishpifja, Meta: Do mbroj Kushtetutën së bashku me qytetarët

Në një kohë që në Parlament po diskutohet paketa “antishpifje” dhe pritet të votohet nga deputetët, presidenti Meta deklaron se do të mbrojë Kushtetutën së bashku me qytetarët.
Ndërsa gazetarët kanë kërkuar që ky ligj të mos dekretohet nga presidenti, në një prononcim për mediat, ai është shprehur se çdo veprim i tij do të jetë institucional.
“Të shohim si do të jenë zhvillimet. Unë shpresoj të mos bëhen veprime të nxituara. Çdo veprim i imi do të jetë institucional dhe do të jetë transparent, por nuk mund të gjykoj asgjë”, është shprehur ai.
Pyetur nga gazetarët për mbrojtjen e Kushtetutës dhe tubimit të paralajmëruar, Meta thotë se Kushtetutën do e mbrojë në çdo moment.
“Unë e mbroj Kushtetutën çdo ditë edhe në çdo moment, që nga çasti që kam vënë dorën mbi Kushtetutë, sepse kjo është detyra kryesore e Presidentit të Republikës.
Padyshim që kjo nuk është vetëm detyrë e Presidentit, por është e të gjithë popullit shqiptar, i cili e ka miratuar Kushtetutën me referendum më 22 nëntor të vitit 1998 dhe i cili për fat të keq që nga ajo periudhë e deri më tani ka lejuar t’i preket Kushtetuta në kohë të ndryshme, duke tronditur themelet e shtetit të së drejtës, gjë që ndihet sot nga të gjithë qytetarët shqiptarë”, është shprehur presidenti Meta.
Presidenti ndër të tjera është shprehur se “së bashku me qytetarët do të përforcojnë themelet e Kushtetutës, që u votua më 22 nëntor 1998. Kjo është detyra ime dhe është detyra e të gjithëve ne”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë