Kur propozoi ligj për pastrimin e klasës politike përmes vettingut, Partia Demokratike i referohej një procesi të ngjashëm me atë që po zbatohet tek sistemi i drejtësisë. Tashmë, opozita është frymëzuar nga një tjetër ligj ekzistues për të propozuar një masë ekstreme, që sipas saj është e domosdoshme për çlirimin e ekonomisë së vendit.
PD dhe aleatët e saj prezantuan këtë të hënë në Tiranë platformën e pagëzuar me emrin “Platforma kundër korrupsionit dhe oligarkisë”, cilësuar edhe si një “klonim” i ligjit aktual “Antimafia”. Në dukje “Antimafia” është një term shumë i rëndë, por e tillë, sipas opozitës është edhe gjendja e ekonomisë shqiptare shkaktuar nga korrupsioni dhe abuzimet me tenderat, koncesionet dhe partneriteti-publik privat.
“Afera korruptive me koncesionet po varfëron qytetarët për të pasuruar oligarkët e qeverisë. Statistikat flasin se 45 biznese po mbyllen çdo ditë. Ne i kemi denoncuar aferat, por kjo që po bëjmë sot është më e madhe se kjo. Ne sot do të prezantojmë strategjinë dhe ligjin se si do të sekuestrohen pasuritë e pajustifikuara dhe të jashtëligjshme”, deklaroi në fjalën e tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha.
PD thotë se që prej vitit 2014 janë dhënë 39 mijë tendera me një vlerë totale prej 2.7 miliardë euro. 30 për qind e tyre, pra rreth 11 mijë tendera janë dhënë pa garë. Mes totalit të tenderave, PD thotë se 2100 të tillë, me një vlerë 252 mln euro janë dhënë për klientë, miq dhe familjarë të Kryeministrit Edi Rama.
Tek grupi i tenderave të dhënë pa garë dhe tek grupi i tenderave të dhënë për njerëz të lidhur me Kryeministrin, PD thotë se gjenden abuzimet më të mëdha. Në shënjestër të platformës së saj janë pikërisht këta tendera, që opozita i quan abuzime të financuara nga buxheti i shtetit përmes trajtimeve preferencialeve, leje dhe licenca ekskluzive, ligje speciale, situata favorizuese, kontrata publike abuzive e të tjera.
Mes ligjeve speciale PD përfshin ligjin për Teatrin Kombëtar, Aeroportin e Vlorës, Portin e Karpenit dhe Air Albanian.
Tek koncesionet dhe kontratat publike përfshihet Sistemi Qendror i Monitorimit Online të Lojërave të Fatit, pas të cilit PD thotë se qëndron vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama. Këtu përmendet edhe leja minerare për Edmond Begon, linja hekurudhore Fier-Ballsh-Vlorë e deri tek Gulf-i i falimentuar, pas të cilit opoozita thotë se qëndron Besnik Sulaj.
Disa kontrata te dyshimta sipas PD:
Në kategorinë “abuzime që financohen nga Buxheti i Shtetit”, sipas PD-së dominojnë kontratat në fushën e shëndetësisë. Opozita e nis me shërbimin e kontrollit shëndetësor, i ashtuquajtur Check Up, më pas citon shërbimin e sterilizimit dhe shërbimet laboratorike. Nuk lihen pa përmendur edhe inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Këtu përfshihet edhe “trau” në Rrugën e Kombit, i rivendosur në punë këtë 17 shtator me ndryshime tarifash për kuksianët.
Në shënjestër janë edhe një sërë kontratash në fushën e infrastrukturës. PD konsideron abuzive kontratën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, e fituar nga kompania “Gjoka Construction”, por edhe atë të rrugës Tiranë-Thumanë-Vorë, që është në proces, por për të cilën kompania “Gener 2” ka përfituar bonusin nga qeveria.
Të gjitha këto kontrata dhe tendera, PD thotë se rëndojnë tek xhepat e shqiptarëve çdo vit e më shumë dhe sipas përllogaritjeve të opozitës, fatura nga 2018 deri në 2021 e tyre do të shkojë në 463 milionë euro, ndërsa fatura totale e tyre është 2.18 miliardë euro.
Opozita thotë se këto kontrata janë kërcënimi më i madh për financat e vendit dhe shton se ato e rrisin borxhin publik nga 71 për qind që është sot, në 87.5 për qind. Si zgjidhje, PD propozon platformën e saj “kundër korrupsionit dhe oligarkisë”, që thotë se duhet të funksionojë ashtu si ligji “antimafia” për pasuritë e të dënuarve për vepra penale.
Si funksionon mekanizmi antimafia i PD-së? Propozohet që pasuritë e personave që kanë përfituar koncesione, tendera dhe kontrata të tjera në mënyrë abuzive verifikohen, sekuestrohen e më pas konfiskohen nëse gjenden shkelje, pavarësisht nëse shkelësit dënohen penalisht apo jo.
Masa parandaluese do të veprojnë tek kompanitë private dhe pronarët e kompanive përfituese, tek zyrtarët publikë që kanë abuzuar me detyrën dhe tek persona të afërt, apo të lidhur me pronarët e kompanive private, apo zyrtarët publike që kanë abuzuar me detyrën, pra njësoj si ligji antimafia.
Çfarë do të verifikohet?
Në sitë, demokratët propozojnë që të kalohen të gjitha kontratat koncesionare, kontratat e prokurimit publik, kontratat sipas skemës partneritet publik-privat, kontratat e tjetërsimit të pasurive publike dhe aktet e lejeve, licencave ose autorizimit për shfrytëzimin e pasurive publike.
Qëllimi, thotë PD, është parandalimi dhe goditja e korrupsionit, mbrojtja e pasurisë publike dhe garantimi i konkurrencës së lirë. PD propozon që nisma të veprojë për aktet dhe kontratat publike të nënshkruara, apo miratuara përpara dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra ligji do të ketë fuqi prapavepruese.
Kush vendos?
Tek projektligji i dorëzuar në Kuvend për vettingun politik, Partia Demokratike nuk parashikon strukturat dhe mekanizmat që do ta realizojnë pastrimin e klasës politike. Por, për platformën “antimafia” për korrupsionin dhe oligarkinë, opozita e ka të qartë se kush duhet të shqyrtojë, hetojë dhe më pas vendosë për vlefshmërinë e një tenderi, partneriteti publik-privat apo lejeje tjetër në marrëdhënien shteti-privat.
Platforma angazhon me këtë detyrë Drejtorinë Antikorrupsion, që pasi verifikon dhe analizon kontratat e lidhura mes shtetit dhe sipërmarrësve për një punë a shërbim të caktuar, ja referon dosjen Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në rast se gjen shkelje. SPAK më pas e heton dhe vendos për dërgimin e dosjes në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ose pushimin e hetimeve. Por, si SPAK, ashtu edhe Gjykata Antikorrupsion, dy organe të parashikuara nga reforma në drejtësi, nuk janë ngritur ende.
Në të gjitha rastet, platforma e opozitës ngarkon me barrën e provës kompanitë private, ose zyrtarin publik që ka miratuar aktin a kontratën e dhënë.
Efektet e ligjit të propozuar
Sipas opozitës, janë disa. Mes tyre renditet kthimi i parave dhe pasurive publike të përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste sërish tek qytetarët, ndëshkimi i kompanive që gjenden me shkelje, deri në heqje të drejte për pjesëmarrje në tendera dhe gara prokurimi publik për 20 vjet dhe sekuestrim pasurie. Po ashtu, edhe zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën, mund të shmangin dënimin penal, por jo sekuestrimin e pasurive të tyre sipas këtij ligji.
Opozita ndan bindjen se platforma e saj parandalon korrupsioni, shpërdorimin e parave, apo të pasurisë publike në të ardhmen, përmirëson klimën e biznesit përmes garantimit të konkurrencës së lirë dhe barazisë para ligjit të subjekteve private, shkurajon dhe parandalon biznesin që të përfshihet në nisma korruptive dhe vendos në shërbim të investimeve publike paratë dhe pasuritë e konfiskuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.