Gazeta Si – Erdhi momenti i ndeshjes me Çekinë, për të cilën trajneri Silvinjo kishte pak kohë dhe për më tepër u përball me dy mungesa të rëndësishme, siç janë ato të Ismajlit dhe Brojës. Megjithatë, Shqipëria në këtë moment ka alternativa dhe braziliani mund të zgjedhë.
Ai duket se ka vendosur që t’i besojë formacionit që mori barazimin në Pragë. Përjashtimi i vetëm është aktivizimi i Arlind Ajetit në vend të Ardian Ismajlit të dëmtuar. Sa u përket dilemave të portës dhe krahut të majtë të sulmit, trajneri me shumë gjasa do të preferojë Berishën dhe Seferin.
Në mbrojtje do të rreshtohen Hysaj në të djathtë dhe Mitaj në të majtë, kurse në qendër Gjimshiti do të ketë në krah Ajetin. Në mesfushë do të luajnë nga minuta e parë Ramadani dhe Asllani, pak përpara tyre Bajrami. Janë të tre lojtarë të Serisë A, që në ndeshjet e fundit kanë treguar një nivel të lartë.
Në sulm do të jenë Sokol Cikalleshi, i cili ka lënë pas dëmtimin, Jasir Asani në të djathtë dhe Taulant Seferi në të majtë. Në stolin kuqezi do të jenë alternativa ‘luksi’, si Myrto Uzuni, Keidi Bare, Tomas Strakosha, Klaus Gjasula, Ivan Balliu, Mirlind Daku e të tjerë.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 4-2-3-1
Berisha
Hysaj Ajeti Gjimshiti Mitaj
Ramadani Asllani
Asani Bajrami Seferi
Cikalleshi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.