Mihaj, Laçi dhe Sadiku janë tri ndryshimet e bëra nga trajneri Edi Reja në formacion për ndeshjen që nis pas pak në “Air Albania Stadium”. Nga një lëvizje për çdo repart, ashtu siç vetë italiani pohoi një ditë më parë. Reja ka lënë në stol Veselin dhe në vend të tij ka aktivizuar Mihajn në mbrojtje, përkrah Dermakut dhe Gjimshitit.
Në mesfushë aktivizohet një lojtar debutues, Qazim Laçi, ish-kapiten i Shpresave dhe i rritur si futbollist tek Olimpiakosi në Greqi. 24-vjeçari ka luajtur edhe në Qipro me Apoel Nikosinë dhe tani luan në ligën e dytë franceze me AC Ajacio. Laçi ka marrë vendin e Bares në këtë ndeshje, ku mesfusha kompletohet me Abrashin dhe Gjasulën në qendër dhe Hysajn dhe Trashin në krahë.

Në sulm rikthehet Armando Sadiku. Elbasanasi do të jetë në fushë nga minuta e parë përkrah Manajt. Kuqezinjtë kanë një mundësi shumë të mirë për të qenë të vetëm në krye të Grupit 4 në Ligën e Kombeve, pasi Kazakistani pak orë më parë u mund 1-2 në fushën e tij nga Bjellorusia. Nëse fiton me Lituaninë, Shqipëria ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas dy ndeshjesh. Në “Air Albania Stadium” do të gjykojë ukrainasi Sergei Boiko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.