Politike

Anti-KÇK krijon një “prokurori” në dorë të Qeverisë

E ashtuquajtura paketë speciale anti-KÇK e prezantuar nga Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ngre një njësi hetimore në varësi të Ministrisë së Brendshme që ndahet në drejtorinë e antiterrorit dhe drejtorinë e krimit të organizuar.

Një parashikim i këtij projektligji është edhe ajo që në mungesë të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë i jep ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë kompetencë që më pas me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë të pezullojë dhe më pas hetojë gjyqtarë, ose prokurorë të dyshuar.

Por si do të godasë kjo njësi krimin e organizuar dhe ata që Rama e quan “grup të strukturuar kriminal” në sistemin e drejtësisë? Në nenin 5 të draftit, pika B përcakton si subjekt të këtij ligji personat për të cilët ka dyshime se standardi i jetesës nuk është i justifikuar nga burime të ligjshme, por nga të ardhura të veprimtarisë së krimit të organizuara, krimeve të rënda dhe terrorizmit.

Ndërkohë, pika F, po në këtë nen shënjestron kompanitë. “Subjektet juridike për të cilët ka dyshime se ndihmojnë, përfitojnë, ose financojnë veprimtarinë e krimit të organizuar dhe të krimeve të rënda dhe terrorizmit”, thuhet aty.

Drafti i jep kësaj strukture, që mbetet për t’u parë se ç’emërtim do t’i vendoset kompetenca gjysmëprokurorie. Sipas këtij propozimi, njësia speciale mund të nisë hetime penale dhe të kufizojë lëvizjen e personave të dyshuar, pa qenë nevoja për të marrë më parë vlerësimin nga prokurori, apo gjykata.

Po ashtu, policia do të ketë të drejtën të bllokojë pasaportë dhe çdo mjet tjetër udhëtimi për personat e dyshuar pa vënë në dijeni prokurorin. Pa përcaktuar afate, në draft thuhet se urdhri i bllokimit i komunikohet prokurorit, që brenda 48 orëve duhet ta dërgojë në gjykatë.

Po ashtu, policia mund të përgjojë e vëzhgojë të dyshuar dhe më pas të marrë miratimin e prokurorit për këtë.

Një tjetër propozim kontravers është dhënia e aksesit të pakufizuar për policinë në çdo institucion publik dhe privat. Pra, “policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetem me miratimin e policisë vendore, ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.

Gjithashtu, policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo gjë e dhënë tjetër nga subjekete private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.

Këto janë parashikimet kryesore të draftit të ashtuquajtur anti-KÇK të Partisë Socialiste. Nga një pikëpamje e përgjithshme, drafti duket se dublon një sërë ligjesh dhe kompetencash, duke nisur që nga ligji antimafia, Kodi i Procedurës Penale, ligji për policinë gjyqësore, e deri tek marrja e kompetencave të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Strukturës së Posaçmë Antikorrupsion, duke i dhënë policisë kompetencat për ndjekjen penale.

Por, në 2015, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e atëhershëm për të ngritur BKH-në në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe njëri prej argumenteve të përdorura ishte edhe se ligji shkelte Kushtetutën, që përcakton se ndjekja penale është kompetencë vetëm e Prokurorisë.

Një tjetër parashikim në draftin anti-KÇK është ai që i jep policisë kompetenca për të hetuar korrupsionin. Por, në 2015, Gjykata Kushtetuese rrëzonte BKH-në me arsyetimin se duke qenë në varësi të ministrit të Brendshëm ajo nuk mund të hetojë korrupsionin për zyrtarët, pasi nuk është institucion i pavarur.

Një tjetër pikë është edhe mbivendosja e kompetencave. Struktura e propozuar në draft për nga përmbajtja e kompetencave tek subjektet e hetimit dhe tek ndjekja penale e tyre mbivendoset me kompetencat që ka Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia Gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë