Këtë të dielë më 11 tetor Shqipëria do të zbres në fushë për t’u përballur me Kazakistanin, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve. Përpara dy transfertave, trajneri Reja ka mësuar përfundimisht 3 mungesat që nuk do t’i ketë në dispozicion për Kazakistanin dhe Lituaninë, ndërsa ka bërë edhe provat e fundit në lidhje me formacionin që mund të zbresë nga minuta e parë. Në këtë përballje, pritet që të ketë ndryshime të shumta. Rokada nis që nga porta, duke i dhënë minuta edhe Etrit Berishës, pasi Strakosha erdhi me shqetësime të cilat ia pamundësuan aktivizimin.

Përpara mund të ketë vend për Marash Kumbullën, djaloshin 19- vjeçar që ka bërë paraqitje të shkëlqyera me Romën në Serinë A. Gjimshiti dhe Dermaku mund të gjejnë sërish vetën në fushën e lojës, për dilema më e madhe e trajnerit italian është t’i japë edhe një shans Enea Mihajt apo jo. Nga krahët, mungesa e Hysajt dhe Uzunit e ka bere gjithçka të vështirë. Frederik Veseli dhe Albi Doka janë testuar si alternativa për linjën e djathtë. Në anën tjetër, Memolla shihet më favorit në krahasim me Trashin.

Përpara në mesfushë, Bare dhe Abrashi mund të kenë përkrah debutuesin Kallakun, më i favorizuar ndaj Çekiçit dhe Laçit. Këta nuk do të jenë vetëm në mbështetje të prapavijës, por mbi të gjitha përkrah dyshes Rey Manaj dhe Armando Broja. Për këtë të fundit, mund të ketë vend për të debutuar si titullar me kuqezinjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




