Kombetarja

Anti-Hungaria, trajneri Reja ka dy dilema për sulmin në Budapest

Kombëtarja ka mbyllur të enjten përgatitjet në Shqipëri dhe sot ka udhëtuar drejt Hungarisë, ku nesër do të zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikese për Botrorin e Katarit. Një transfertë delikate kjo, por kuqezinjtë vijnë në një moment të mirë dhe shpresat për rezultat pozitiv janë të mëdha.

Trajneri Edi Reja ka edhe një seancë të fundit në dispozicion, por, nga sa është parë gjatë stërvitjes në Durrës, ai ka dy dilema sa i takon formacionit dhe konkretisht për sulmin, sepse për pjesën tjetër zgjedhjet janë të përcaktuara. Dy dilemat kanë të bëjnë me faktin se kush do të jetë partneri i Cikalleshit dhe lojtari që do të mbështesë dyshen sulmuese.

Nga stërbitja e fundit e Kombëtares në Durrës. Gazeta Si, 8 tetor 2021

Konkretisht, trajneri Reja ka provuar në sulm si dyshen Cikalleshi-Manaj, ashtu edhe dyshen Cikalleshi-Uzuni, me këtë të dytën që duket se ka fituar më shumë kuota për të qenë në fushë nga minuta e parë në Budapest. Dilema tjetër është: Bajrami apo Çekiçi? Të dy këta lojtarë janë provuar nga trajneri italian, i cili duhet të marrë një vendim për atë që pritet t’i japë më shumë fantazi skuadrës.

Sa i takon pjesës tjetër, në portë pritet të luajë Berisha, i cili do të mbajë edhe shirtiin e kapitenit. Para tij do të jetë treshja Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti, Hysaj dhe Trashi në krahë dhe Bare e Gjasula në qendër të mesfushës. Ivan Balliu, që rikthehet në Kombëtare, pritet ta nisë nga stoli, ashtu si dhe sulmuesi Armando Broja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë