Gazeta Si - Në jetën e Antony Blinken, John Lennon përzihet me Valérie Giscard d'Estaing; regjisori Abel Ferrara me artistin Kristo; pianisti Leonard Bernstein me Catherine Deneuve.
Talenti i Antony-t lulëzoi në një rrugë plot aventura dhe mundësi. Ai lindi në Nju Jork 61 vite më parë dhe është djali i Donald, një avokat i shquar dhe Judith, një artiste dhe sipërmarrëse në botën e muzikës dhe kërcimit.
Në moshën 8 vjeç, Antony i vogël e gjeti veten të katapultuar në Paris, së bashku me nënën e tij, e cila ndërkohë ishte divorcuar nga babai i tij dhe ishte martuar me Samuel Pisar-in, një avokat tjetër nga komuniteti hebre, i cili i mbijetoi kampeve të përqendrimit të Aushvicit dhe Dachaut.
Blinken ndoqi “Ecole Jeannine Manuel”, një institut privat shkollor dhe selektiv, duke u zhytur në mjedisin kozmopolit plot kontaminim mes artit, kulturës dhe politikës në establishmentin francez, i mbështetur nga nëna dhe babai birësues.

Gjyshërit nga babai i Blinken gjetën strehim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ikur nga masakrat në Rusi, ndërsa njerku i tij, Samuel Pisar, një figurë kyçe në rininë e Antony-t në Paris, ku u zhvendos me nënën e tij në moshën 9-vjeçare, ishte një i mbijetuar - i vetmi në familje - në kampet e Aushvicit dhe Dachaut.
Gjatë seancave për konfirmimin e tij në Senat në vitin 2021, Blinken tregoi arratisjen e njerkut të tij të dëshpëruar gjatë një marshimi të detyruar, pritjen e tij në pyll, derisa pa një tank amerikan.
Ai fëmijë dinte tre fjalë në anglisht dhe i përdori ato: "Zoti e Bekoftë Amerikën". Ushtari “e ngriti duke e çuar brenda tankut, brenda lirisë, brenda Amerikës”. Nga ajo histori, shpjegoi Blinken, u formua ideja e njerkut të tij për rolin e Shteteve të Bashkuara në botë.
Në moshën 21-vjeçare, Antony e ndau kohën e tij mes kitarës, koncerteve me një grup xhazi dhe kinemasë. Ai donte të bëhej regjisor, jo Sekretar Shteti.
Por përfundimisht kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studioi në Harvard dhe Fakultetin Juridik të Kolumbias në SHBA (Columbia Law School).

Ai mundi të mbështetet në lidhjet e dy familjeve të tij. Babai i tij biologjik, Donald i hapi dyert e Nju Jorkut.
Ndërsa familja Pisar, ato të Uashingtonit dhe administratës së Bill Klintonit, me anë të të cilës do të emërohet më vonë ambasador në Hungari.
Blinken iu bashkua Departamentit Amerikan të Shtetit në vitin 1993, në moshën 31-vjeçare, duke punuar për Çështjet Evropiane.
Në ato vite, ai u takua me Evan Ryan, një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, gruaja e tij e ardhshme, me të cilën kanë dy fëmijë.
Në vitin 2000, vjen takimi me Joe Biden, në atë kohë president i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit.
I njohur si tekstshkruesi i fjalimit të Klintonit në kohën e ndërhyrjes demokratike (dhe pas rënies së Murit të Berlinit dhe optimizmit para 11 shtatorit), Blinken filloi të punojë me Biden që në 2002-in në Senat, më pas e ndoqi atë pothuajse kudo.
Ai u bë bashkëpunëtori kryesor i presidentit aktual amerikan, një rol që e ka ruajtur efektivisht në njëzet vitet e fundit.
Në vitin 2009, Joe bëhet zëvendëspresident dhe e thërret në Shtëpinë e Bardhë si këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare.

Gurët e themelit të vizionit të tij politik janë pjesë e traditës të ish-presidentit Bill Klinton dhe jo të Barack Obamës: multi-lateralizmi, bashkëpunimi me aleatët, ndërhyrja në zonat e krizës.
Në librin e tij të publikuar para rreth 3 vjetësh, “Toka e Premtuar”, Obama e përmend atë dy herë dhe gjithmonë në lidhje me trazirat në Lindjen e Mesme, ndoshta fusha e tij kryesore e ekspertizës.
Në vitet 2011-2012 Blinken u vendos në favor të "Pranverës Arabe", "forcave të ndryshimit", veçanërisht në Egjipt dhe Libi.
Sekretari i Shtetit, i 71-ti në historinë e politikës amerikane, konsiderohet si diplomat njerëzor, i cili gjithsesi në traditën më klasike të internacionalizmit liberal, shpeshherë ka qenë në favor të ndërhyrjeve ushtarake: "me" Bidenin për Irakun në 2003-in, "kundër" Obamës dhe në favor të përfshirjes më të madhe në Siri (“ne me të drejtë u përpoqëm të shmangnim një Irak tjetër, por gabuam, duke bërë shumë pak”), si dhe “kundër” Bidenit, që nuk donte të ndërhynte në Libi.

Në momentet më të ndërlikuara - si në foton e takimit të improvizuar (me bluzë) gjatë samitit të G20 natën e raketës ruse që ra në Poloni, e cila mund të kishte shkaktuar një konflikt botëror - përkrah presidentit, duke punuar për të, është gjithmonë këshilltari për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan dhe, në të vërtetë, Antony Blinken, i cili e përshkruan raportin e tij me Biden si "marrëdhënien më të afërt me një baba-bir që mund të kesh pa qenë të lidhur".
Diplomacia, në vizionin e tij, duhet të "integrohet me parandalim". Për Ukrainën, përveçse ka qenë instrumental në mbajtjen e aleatëve të NATO-s së bashku brenda administratës, ai kundërshtoi idenë e shmangies së dërgimit të disa llojeve të armëve për të mos provokuar Rusinë.
Kufiri i perspektivës dhe aktivizmit të tij qëndron, siç kanë vënë re disa analistë, më shumë në atë që ai përfaqëson, sesa në atë që është.
Vëzhguesit evropianë, të cilët e kanë parë Blinken në veprim kohët e fundit, e kanë pyetur veten me gjysmë shaka pse të mos e emërojnë atë, kaq "të freskët" dhe energjik (është 61 vjeç), në vend të "Xhoit të vjetër", apo nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë ta zgjidhte atë në vend të Kamala Harris.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




