Drejtësia

Ankimoi vendimin e GJKKO, Apeli i Posaçëm nuk ia kthen celularin Ajola Xoxës

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa për kthimin e celularit të sekuestruar nga SPAK.

Celulari ishte sekuestruar gjatë kontrolleve për llogari të hetimeve ndaj saj dhe bashkëshortit të saj Erion Veliaj që është i arrestuar me akuzat për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.

Në njoftimin e GJKKO-së, shkruhet se Xoxa ka mundësi të ankimojë këtë vendim brenda 45 ditëve duke nisur nga dita e nesërme.

Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, nuk ishte e pranishme në seancën e kësaj të marte ku u përfaqësua nga avokati i saj.

Mbi Xoxën rëndojnë 3 akuza: korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ajo ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Me këtë vendim, Apeli lë në fuqi masën e dhënë më herët nga shkalla e parë, duke i dhënë të drejtë kërkesës së prokurorisë për të sekuestruar pajisjen si pjesë e hetimeve në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë