Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj, duke anuluar zgjedhjet në Tiranë dhe rikthyer në detyrë pas shkarkimit kryetarin Erion Veliaj, pavarësisht se prej disa muajsh ai ndodhet në qeli.
Me një vendim rekord, vetëm 3 ditë pasi shqyrtoi ankimin e Veliajt në seancën maratonë, Kushtetuesja ka vendosur në favor të kryebashkiakut me 5 vota pro dhe 3 kundër, pas vendimit të qeverisë që e shkarkoi atë menjëherë pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.
Mësohet se pro kërkesës së Erjon Veliajt, kanë qenë 5 gjyqtarë: Marjana Semini, Ilir Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Fjona Papajorgji.
Ndërsa kundër kërkesës së Veliajt, siç bëjnë me dije burimet, kanë qenë tre gjyqtarët kushtetues: Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
Ndërkohë, Gazetasi.al ka siguruar argumentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se shkarkimi i Veliajt mund të bëhet vetëm në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, pra vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe sipas Gjykatës, nuk ishte ky rasti.
Një tjetër shkelje që ka evidentuar Gjykata Kushtetuese, është se Këshilli Bashkiak dhe qeveria nuk garantuan proces të rregullt ligjor, pasi kryebashkiaku Veliaj nuk u ftua, dëgjua dhe nuk u mbrojt dot, pasi nuk mundi të paraqiste argumentet e tij.
1. Kemi juridiksion për VKM-në e shkarkimit
2. Një i zgjedhur vendor shkarkohet vetëm për shkelje të rënda ligji dhe kushtetute, e ky nuk ishte rasti
3. Këshilli Bashkiak dhe Qeveria nuk garantuan proces të rregullt ligjor pasi nuk u ftua, dëgjua dhe nuk u mbrojt dot. Njoftimi për mbledhjen e Këshillit Bashkiak nuk ishte i mjaftueshëm
4. VKM ja nuk përmbushte një shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas nenit 115 të Kushtetutës.
5. Veliajt nuk i ishte garantuar një proces i rregullt ligjor
ME SHUMICË VOTASH GJK VENDOSI:
1. Shfuqizon VKM-në që shkarkoi Veliajn
2. Shfuqizon Dekretin e Begajt për zgjedhje vetëm pjesën për Tiranën
Me një njoftim zyrtar në lidhje me vendimin që ka marrë për ankimimin e Erion Veliajt, Gjykata Kushtetuese thekson se procedura e ndjekur nga Këshilli Bashkiak dhe më pas nga Këshilli i Ministrave duke mos e njoftuar Veliajn nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt.
“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur. Gjykata theksoi se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Në këtë kuptim, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër”, njoftoi Gjykata.
Po kështu, Gjykata, vlerësoi se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e Veliajt nga detyra nuk e ka justifikuar me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës.
“Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese. Për këto arsye, Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se kërkuesit i është cenuar e drejta për proces të rregullt e lidhur me masën e shkarkimit, prandaj vendosi shfuqizimin e VKM-së nr. 539/2025”, njoftoi gjykata.
Sa i përket shfuqizimit të dekretit të Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, Gjykata Kushtetuese argumenton se vjen pasi u shfuqizua vendimi i qeverisë.
“Duke qenë se shfuqizoi VKM-në nr. 539/2025, me qëllim riparimin e pasojave që vijnë nga dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, në konsideratë të nenit 115, pika 3, të Kushtetutës, Gjykata vendosi të shfuqizojë edhe këtë dekret pasi është një akt i nxjerrë për plotësimin e vakancës të krijuar nga VKM-ja për shkarkimin nga detyra të kërkuesit“, njoftoi gjykata.
Prandaj gjykata vendosi, me shumicë votash:
1.Pranimin e kërkesës.
2.Shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25.09.2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3.Shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me paragrafët 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës.
4.Vazhdimin e masës së pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
Gjithsesi vendimi përfundimtar pritet të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji.
Beteja e Veliajt në Kushtetuese
Më 31 tetor, Erion Veliaj u përball për 7 orë në gjykatë me përfaqësuesit e kryeministrisë dhe presidencës, njëi që firmosi shkarkimin e tij dhe tjetri që dekretoi zgjedhje në kryeqytet.
Në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, mes Veliajt dhe qeverisë u zhvillua një debat i gjatë, nëse shkarkimi i tij me argumentin e mungesës në punë 3 muaj, ishte i ligjshëm dhe i drejtë.
Erion Veliaj ankimoi në Kushtetuese shkarkimin e tij më 25 shtator nga qeveria, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak.
Ai theksoi se mungesa e tij në zyrë është pasojë e pamundësisë objektive, pasi ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, GJKKO pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK për gjykimin e Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa për disa akuza, mes tyre ajo e korrupsionit në 9 raste dhe pastrimi i parave. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në qelitë e paraburgimit të Durrësit që prej 10 shkurtit 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



