Politike

Anketimi për sigurinë, Rama: Faktet flasin për ulje të kriminalitetit! Ministri Hoxha: 82% e qytetarëve na besojnë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha morën pjesë në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit.

Ky anketim kryhet për të gjashtën herë me iniciativën dhe nën mbikëqyrjen e qeverisë suedeze.

Rama u shpreh se “kurrë më shumë se sa sot Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur nivelin e barazisë para ligjit”.

Ai tha se përgjatë viteve ka pasur ulje të kriminalitetit në vend, duke shtuar se 2024 u mbyll me më pak vrasje dhe theksoi se nga të dhënat kryesore Shqipëria është shumë pranë mesatares së BE.

“Kurrë më shumë se sa sot Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur nivelin e barazisë para ligjit. Nga njëra anë na është konfirmuar si fakt i pamohueshëm nga çelja e negociatave me BE, që nuk janë një dhuratë dhe as vendimmarrje thjesht politike, por një konstatim i progresit të bërë në aspektin e rritjes së nivelit të barazisë para ligjit. Nga ana tjetër na vendos përballë sfidës së rritjes së vazhdueshme të këtij niveli barazie. Është anketim i financuar nga Suedia, tërësisht i pavarur nga qeveria shqiptare se disa i pakënaqur apo i kënaqur janë shqiptarët nga policia e shtetit.

Po të lexosh çfarë shkruhet për rendin dhe policinë e shtetit është vend për të ikur me vrap, ku s’ka rend e sigurisë, ku policia e shtetit është pa forcë e besueshmëri”, tha Rama.

Mandej ai citoi Aristotelin kur tha se “i vetmi shtet i qëndrueshëm është ai në të cilin të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit”.

“Kurrë më shumë se sa sot Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur nivelin e barazisë para ligjit, çka nga njëra anë na është konfirmuar si fakt i pamohueshëm nga çelja e negociatave me Bashkimin Europian, që nuk janë as një dhuratë dhe as një vendimmarrje thjesht politike, por janë një konstatim i progresit të bërë në radhë të parë në aspektin e rritjes së nivelit të barazisë para ligjit”, shtoi Rama.

Rama tha se duhet të bëhet çdo gjë që policia të mos kthehet prapa, pavarësisht sesi rrotullohet politika.

“Një polici e fortë nuk është ajo që lufton krimin, por është ajo që fiton zemrat e qytetarëve me përkushtim dhe respekt ndaj tyre. Një oficer policie është aty për ta mbrojtur, për ta ndihmuar dhe për ta respektuar pa kushte, edhe kur ai qytetar është në gabim dhe jo për ta shpërfillur me gjeste dhe fjalë të tepërta. Atëherë mund të themi që kemi fituar betejën e betejave të transformimit.

Një qytetar që ndalohet me makinë duhet t’i bëhet respekt, sepse po i merret kohë nga puna e tij. Ato minuta që po i merren i duhen shpërblyer me shumë respekt”, tha ai.

Ndërsa duke iu referuar sondazhit, Hoxha tha se sot 65 % e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”.

“Koha e reagimit ndaj krimeve është përmirësuar, dhe 67 % e qytetarëve besojnë se trajtohen me respekt. Këto numra nuk janë thjesht statistika – janë pasqyra e besimit të fituar me mund dhe sakrificë.

Por suksesi më i madh është ndryshimi në jetën e përditshme të njerëzve.

82 % e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit, dhe ky është një tregues që na motivon të ecim përpara. Megjithatë, e dimë që ka vend për përmirësim, veçanërisht në aspektin e ndjenjës së sigurisë gjatë natës, ku ne jemi shumë afër mesatares evropiane. Por ky është vetëm një motivim që të punojmë edhe më fort.

Fakti që vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga rreth  12 milionë turistë dhe patëm zero ngjarje kriminale, është edhe një arsye tjetër pse vendi ynë i bukur zgjidhet si destinacion i sigurt për pushime”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë