Nga Gazeta ‘SI’ – Panorama mediatike në Shqipëri po përjeton një krizë besimi. Sipas të dhënave të vitit 2025, televizioni, ende burimi kryesor i informacionit për shumicën e qytetarëve, po humbet kredibilitetin tek publik, sipas një ankete të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, RCC.
Besimi i shqiptarëve tek televizioni ka rënë nga 31.5% në vitin 2024 në vetëm 24.9% në 2025, duke shënuar rënien më të fortë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Paralelisht, mosbesimi është rritur në 74.9%, një tregues se shqiptarët po distancohen gjithnjë e më shumë nga media tradicionale.
Shqipëria mbetet një nga vendet me besimin më të ulët në rajon edhe ndaj rrjeteve sociale. Në vitin 2025, vetëm 10.9% e qytetarëve thonë se u besojnë platformave online, një rritje e papërfillshme prej 1.4 pikësh përqindjeje nga viti i kaluar.
Televizioni po humbet terren pothuajse kudo, me rënie të forta në Bosnje dhe Hercegovinë dhe një zbritje të moderuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi shënojnë vetëm rritje të vogla. Përjashtim mbetet Kosova*, ku besimi në TV rritet dhe mbetet më i larti në Ballkanin Perëndimor. Edhe te rrjetet sociale rajoni mbetet i polarizuar. Besimi është rritur në Kosovë dhe Serbi, por ka rënë ndjeshëm në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



