Financa Personale

Anketa / Numri më i lartë i kredimarrësve në Shqipëri, i përket grupmoshës 18-29 vjeç

Nga Gazeta ‘SI’ – Të rinjtë rezultojnë grupmosha me kulturën më të lartë financiare në Shqipëri.

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, 98% e grumoshës 18-29 vjeç kanë akses në produktet e pagesës, normë më e lartë se grupmosha e 30-59 vjeçarëve dhe 60-79 vjeçarëve.

Anketa tregon se 39.3% e të rinjve zotërojnë të paktën një produkt kredie dhe kjo është përsëri norma më e lartë ndër grupmoshat e tjera.

Për sa i përket produkteve të kursimit dhe investimit apo sigurimit, dominon grupmosha e mesme. Konkretisht, 36.8% e moshës 30-59 vjeç pranojnë se zotërojnë një produkt kursim/investim dhe 17.4% produkt sigurimi. Individët mbi 60-vjeç kanë përfshirjen më të ulët në produktet financiare.

Të dhënat tregojnë për një korrelacion pozitiv midis nivelit të arsimimit, nivelit të të ardhurave dhe përqindjes së zotërimit të produkteve financiare. Janë individët me arsim të lartë, të punësuar ose të vetëpunësuar me nivel mesatar apo të lartë të ardhurash, që kanë më shumë akses në produktet financiare. Klientët që jetojnë në zona urbane kanë po ashtu më shumë akses dhe posedime të produkteve financiare se ato në zona rurale.

Të dhënat tregojnë se përgjithësisht gratë zotërojnë më pak produkte financiare se burrat, mesatarisht 1.5 herë më pak.

Krahasuar me vendet e OECD-së, për zotërimin e të paktën 5 produkteve financiare, individët në Shqipëri qëndrojnë shumë më mbrapa vendeve të tjera, ku vetëm 3% e tyre zotërojnë të paktën 5 produkte financiare përkundrejt 20% dhe 24% të zotërimit të tyre në vendet e tjera pjesëmarrëse dhe në ato të OECD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë