Financa Personale

Anketa e edukimit financiar/ Shqiptarët kursimtarë aktivë. Vetëm 29% njohin kriptomonedhat

Shqiptarët nuk kanë arritur ende edukimin financiar të vendeve më të zhvilluara, por kultura e individëve mbi paranë është përmirësuar.

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, indeksi i kulturës financiare të shqiptarëve është 59 nga 100. Mesatarja e indeksit për vendet e tjera është 60.

Në lidhje me njohjen dhe përdorimin e produkteve financiare, individët në Shqipëri karakterizohen nga një nivel i lartë i njohjes së produkteve financiare, por një nivel më i ulët i përdorimit të tyre.

72% e individëve njohin të paktën 5 produkte financiare, përkundrejt respektivisht 73% dhe 79% që rezulton të jetë mesatarja e përgjithshme e vendeve pjesëmarrëse dhe ajo e vendeve të OECD-së.

90% e tyre njohin produktet e kursimit, investimit dhe pagesës. 88% kredinë dhe 73% produktet e sigurimit. Ndërkohë që më pak individë në Shqipëri kanë njohuri në lidhje me kripto-aktivet , 29%, përkundrejt respektivisht 41% dhe 49% të mesatares së përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në vrojtim dhe OECD-së. Paralelisht, vetëm 7% e individëve në Shqipëri kanë njohuri mbi produktet e etiketuara si të “qëndrueshme” ose “green”, përkundrejt 20% dhe 23% që është mesatarja e përgjithshme e vendeve pjesëmarrëse dhe atyre të OECD-së.

Më pak se gjysma e shqiptarëve vendosin objektiva financiarë afatgjatë, ndërkohë që 65% e tyre nuk marrin borxh për të mbuluar shpenzimet e nevojshme. Paralelisht, nga vrojtimi vërehet se një përqindje e lartë e individëve, të cilët janë kursimtarë aktivë (81%),që kujdesen për marrëdhëniet e tyre afatgjata (82%) dhe kryejnë blerje të përballueshme (82%).

Ashtu si edhe në vendet e tjera, rreth 65% e individëve në Shqipëri mbajnë shënim të parave në afatin e shkurtër, krahasojnë produktet financiare midis ofruesve (rreth 24 %), si dhe paguajnë faturat në kohë (rreth 78%). Në diferencë nga mesatarja e vendeve të tjera, individët në Shqipëri, pothuajse nuk marrin këshilla mbi blerjet që bëjnë.

Anketa gjen se gratë shqiptare zotërojnë më pak produkte financiare se burrat, mesatarisht 1.5 herë më pak. Sipas moshës, më pak produkte financiare zotërojnë të moshuarit dhe të rinjtë, ndërsa më shumë zotërojnë individët në moshë të mesme. Gjithashtu, vërehet një rritje e zotërimit të produkteve të pagesës nga të rinjtë, ku rreth 76% e tyre zotërojnë një produkt pagese përkundrejt 62% që rezulton kjo shifër për individët në moshë të mesme.

Indeksi i mirëqenies financiare së individëve në Shqipëri vlerësohet 31 nga 100, shumë më i ulët se mesatarja e vendeve të tjera. Ky vlerësim, sipas Bankës, tregon se individët në Shqipëri janë të pakënaqur me situatën e tyre financiare, si dhe ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre. Ndërkohë që ata rezultojnë të kenë më pak rezerva dhe aftësi për të absorbuar goditjet negative financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë