Biznes

Anketa / Apartamentet e palicencuara në Booking dhe Airbnb nxisin informalitetin e turizmit në Shqipëri

Nga Gazeta 'Si'-Lulëzimi i apartamenteve me qira në Booking dhe Airbnb, që nuk kanë nipt dhe nuk janë licencuar, ngre shqetësime të shumta për ekzistencën e informalitetit në industrinë shqiptare të turizmit.

Kështu evidenton një anketë e zhvilluar nga PNUD me bizneset e hotelerisë gjatë vjeshtës së kaluar e cila thekson se ka një hendek mes shifrave zyrtare dhe atyre që gjenden në këto platforma duke çuar në konkurrencë të pandershme.

Duke iu referuar vetëm muajit maj të vitit të shkuar, anketa shpjegon se buletini mujor i Ministrisë së Turizmit përmbante një listë me 1.478 objekte akomodimi të certifikuara dhe të licencuara, duke përfshirë hotele, bujtina, kampe, motele, resorte dhe njësi agroturizmi.

Megjithatë, në platformë ishin 2.169, 50% më shumë nga këto njësi të disponueshme.

Sipas hartës së mëposhtme, qarqet me përqindjen më të lartë të hoteleve të listuara në Booking.com gjatë qershorit janë Vlora (43%) dhe Tirana (15%). Vetëm në Sarandë ka më shumë se 500 hotele të përhapura përgjatë 60 km2.

60% e akomodimeve gjenden pranë bregdetit, 26% gjenden në brendësi të qytetit dhe banesat e mbetura ndodhen në Tiranë.

Në këto akomodime, një dhomë standarde hoteli për dy persona do të kushtonte 50 euro për një natë midis 29-30 qershorit të 2022-shit. Himara kishte akomodimin më të shtrenjtë me çmime deri 250 euro ndërsa Berati ishte më pak i shtrenjti.

Për lulëzimin e këtyre apartamenteve të palicencuara në këto platforma, foli para disa kohe për Gazetasi.al edhe ekspertja e turizmit, Flora Xhemani Baba.

“Janë biznese të paligjshme qoftë edhe të vogla që jetojnë në kurriz të ligjshmërisë të hoteleve të tjera dhe i konkurrojnë ato në mënyrë të padrejtë.

Megjithëse Shoqata e Hoteleve ka bërë kërkesë vazhdimisht ndaj shtetit, kjo nuk është zgjidhur as me shtet, as me privat.

Ata u janë drejtuar kompanive Booking dhe Airbnb që t’u kërkojnë minimalisht një nipt ose licencë këtyre subjekteve. Kompanitë u kanë thënë që duhet një shkresë zyrtare nga ministria ose nga shteti për ta bërë këtë gjë në formë ligjore”, vijoi Xhemani ndërsa shtoi se edhe përse kjo është një procedurë shumë e thjeshtë,sërish nuk është zgjidhur.

Bazuar në anketën e PNUD, sërish qarku i Vlorës ishte ai që kishte më shumë prona të dhëna me qira në Airbnb për tremujorin e tretë të 2022-shit, krahasuar më qarqet e tjera.

Për këtë periudhë në këtë qark kishte mbi 7000 apartamente të postuara, një rritje me 77% nga e njëjta periudhë e vitit 2019. Rreth 40% ndodhen në Sarandë (2.745) ndërsa nivelet më të ulëta të banimit paraqiten në Elbasan dhe Korçë, me 13% dhe 17%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë