Treg

Ankandi fotovoltaik hibrid, shpallen 9 fitues, Balluku: Jemi rrugës për t’u bërë eksportues të energjisë

Nga Gazeta 'SI' - Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku hapi ankandin për parqe fotovoltaike hibride 300 megavatorë, ku u shpallën 9 fitues.

Ministrja Balluku tregoi se për herë të parë, shteti shqiptar nuk ofron asnjë aset, as tokën, por vetëm garanton blerjen e një pjese të energjisë, ndërsa ofertuesit janë përgjegjës për të gjitha proceset.

Balluku theksoi se çmimi i energjisë s’mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur nga shteti.

 “Sot Shqipëria merret si rast studimor se si një vend i tillë vazhdon me një rrugë të qartë për energjinë e rinovueshme. Nëse në dy ankandet e mëparshme, pra atij të Karavastasë dhe të Spitallës, shteti ka vendosur tokën në dispozicion të prodhimi të energjisë nga këto ankande, në këtë rast kemi një ankand hibrid, ku toka është siguruar nga subjektet e interesuara dhe nga ana tjetër shteti është vetëm blerësi i energjisë të prodhuar nga këto parqe. Të njëjtin koncept kemi përdorur dhe në ankandin eolik të vitit 2023. Duhet të keni parasysh që ky ankand ka pasur një kriter i cili lejon konkurrentët të hyjnë në garë me një park jo më të vogël se 10 megavatorë dhe jo më të madh se 100 megavatorë. Në këtë kontekst Ministria ofron për fituesin një kontratë shit-blerje të energjisë elektrike për një periudhë 15 vjeçare me një çmim të pandryshuar. Çmimi që do të përcaktohet do të jetë ai i propozuar nga ofertuesit e përzgjedhur. Në çdo rast çmimi nuk mund të jetë më i lartë se tavani i vendosur prej 59.97 euro për megavatorë”, u shpreh Balluku.

Zv.kryeministrja njoftoi se do të ketë një ankand tjetër të ngjashëm, shumë shpejt dhe me rëndësi janë çmimet konkurruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë