Mjedis

Anijet me 800 tonë mbetje toksike, “Kurum”: Ngarkesa nuk është nisur nga ne, respektojmë rregullat për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme

Një muaj e gjysmë pasi u nisën pa një leje nga Durrësi, anijet me 800 tonë mbetje industriale të prodhuara nga një kompani e huaj pranë Metalurgjikut në Elbasan po kthehen në Shqipëri. Çështja është referuar në prokurori nga autoritet shqiptare të cilat kanë konfirmuar se këto mbetje janë nisur nga një kompani ndërkombëtare që operon pranë Metalurgjikut. Sot, njëra prej këtyre kompanive që operon pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, “Kompania Kurum International” ka reaguar se 800 ton mbetjet në fjalë që ishin nisur drejt Tajlandës, duke nënvizuar se në asnjë rast nuk ka transportuar mbetje të rrezikshme dhe se as kjo ngarkesë nuk është nisur nga kompania “Kurum”.

Kompania thotë se "respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit".

Reagimi i plotë i Kurum International:
“Kurum International, në lidhje me lajmet e publikuara në mediat shqiptare mbi sasinë e mbetjeve të rrezikshme të eksportuara me destinacion Tajlandën, dhe aludimet mbi deklaratat e palëve të treta për shoqërinë tonë si eksportues të këtyre sasive të mbetjeve deklaron si me poshtë:
Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga “Kurum International”. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.
Kurum International, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjate procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë.
Shoqëria, raporton dhe plotëson të gjitha kërkesat ligjore, për raportim periodik, 3-mujor, 6-mujor dhe vjetor, për menaxhimin e mbetjeve industriale që gjenerohen nga procesi teknologjik, dhe sipas rastit ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve në fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Të gjitha raportet janë dorëzuar brenda afateve ligjore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit.
Nga ana e organeve përkatëse, jemi kontrolluar dhe vijojmë të kontrollohemi e monitorohemi vazhdimisht dhe periodikisht sipas kërkesave ligjore.
Në çdo rast, aplikohet për leje eksporti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit sipas legjislacionit ne fuqi dhe Konventën e Bazelit, proces lehtësisht i verifikueshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit".

Një ditë më parë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dha më shumë detaje mbi llojin e mbetjeve: “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës”.

Duke nënvizuar se konventat ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas i përputhur me to, parashikojnë një sërë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbetjeve të tilla, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka treguar edhe mbi rrugëtimin e mbetjeve që rrugëtuan nga Evropa në Azi për t’u bllokuar në Singapor: “Në vijim, këto njësi kontejnerike, në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet se janë transportuar drejt Portit të Triestes përmes anijeve kontejnerike ndërkombëtare. Në këtë port të Bashkimit Evropian njësitë kontejnerike nuk kanë qenë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Azinë Juglindore.”

Ngjarja është bërë tashmë një lajm ndërkombëtar, ndërsa agjencia amerikane “Bloomberg” raporton se para se të rikthehen në Shqipëri, kontejnerët me mbetje të dyshuar si të rrezikshme do të ankorohen në portin “Gioia Tauro” të Italisë në fund të shtatorit. Dy anije të kompanisë “Maersk” me 100 kontenierë me mbetje të rrezikshme u nisën nga Terminali i Mallrave Rifuxhio në Durrës më 4 korrik, për të fikur më pas sinjalin në det të hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë