Gazeta Si - Një marinar rus është arrestuar në Durrës, pasi ka rezultuar se në telefonin e tij janë gjetur materiale pornografike me fëmijë të mitur.
Personi i ndaluar quhet Grigory Gorbunov dhe është pjesë e ekuipazhit të anijes së ngarkuar me qymyr, brenda së cilës u sekuestruan 60 kg kokainë.
Anija dy ditë me parë dhe ekuipazhi i saj u lirua për të dalë nga kalata e portit të Durrësit, me qëllim udhëtimin drejt destinacionit.
Por ndaj njërit prej marinarëve, Grigory Gorbunov është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.
Arrestimi i rusit nuk është bërë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, por për pedofili.
Në telefonin e marinarit rus, prokuroria ka gjetur video dhe foto me përmbajtje pornografike të fëmijëve të ndryshëm.
Nisur nga kjo situatë mësohet të jetë vënë në dijeni edhe ambasada e Federatës Ruse në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 42-vjeçari ishte inxhinier i dytë i anijes që u kap me 49 kg kokainë, në portin e Durrësit, në maj të këtij viti.
Anija u vu nën sekuestro në muajin maj, pasi gjatë kontrollit në portin e Durrësit, u zbulua një sasi prej 60 kg kokainë.
Edhe sendet personale dhe pasaportat e ekuipazhit u bllokuan për të zbuluar përfshirjen e secilit prej tyre në trafikun e kokainës.
Përfaqësues të shoqërisë së transportit dhe avokati shqiptar, patën kërkuar në SPAK dhënien e pasaportave për marinarët e bllokuar për 2 muaj brenda anijes pa mundësi largimi prej saj, pasi përgjatë kësaj kohe nuk u gjetën prova të arsyeshme se ata apo kompania e transportit është përfshirë në trafikun e kokainës, që u kap më 17 maj në port.
Anija “Unistream” vinte nga porti i Baranquillas në Kolumbi dhe për shkak të rriskut të lartë që kanë transportet e mallrave nga Amerika Latine iu nënshtrua kontrolleve në Durrës.
Gjatë zhvendosjes së ngarkesës me qymyr u zbulua sasia e drogës, kokainë ishte e ndarë në 53 pako, të futura në dy çanta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.