Gazeta Si – Pas një hetimi disa javor, Policia e Durrësit ka arrestuar një shtetas rus, pasi me anijen që kishte në pronësi, u gjet naftë kontrabandë.
Në pranga ka përfunduar A.S., 47 vjeç. Arrestimi i tij u bë pas bllokimit të anijes me flamur liberian ku u gjetën 22.500 tonë naftë kontrabandë ruse.
Blutë bënë sekuestrimin e mjetit lundrues që ishte nisur nga Azerbajxhani. Sasia e karburantit do të hynte kontrabandë në vendin tonë për t’u tregtuar në Shqipëri.
“Për këtë rast, u vu në pranga kapiteni i anijes që transportonte 22 500 tonë naftë të kontrabanduar, shtetasi A. S., 47 vjeç, banues në Rusi, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat për të cilat paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, – njoftoi policia.
Më 19 shkurt, në kuadër të operacionit “Embargo”, falë inteligjencës informative, policia bllokoi një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22.500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, pasi dyshohej se e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia sekuestroi anijen dhe dokumentacionin e lundrimit të kapitenit, si dhe bllokoi ekuipazhin që përbëhej nga 22 shtetas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.