Anglia e Gereth Southgejt është fytyra tjetër e një kombi që në referendumin e 23 qershorit 2016 votoi për Brexit-in: një miks kulturash, historish, lojtarësh me karton “të ndaluar” që kanë lënë pas, nëpërmjet futbollit, një fëmijëri në disa raste edhe të varfër. Është “New England”, nëse do të përdorim një shprehje të trajnerit aktual. Një skuadër, që të dielën të mbrëmje mund të dhurojë paradoksin e paradokseve: të fitojë titullin europian, - nëse do ta lejojë Italia, - në vitin e daljes nga Unioni.
Vlera e Anglisë shkon në 1.3 miliardë euro. Janë 10 lojtarë që e kalojnë stekën e 50 milionëve: Kejn, Sterling, Rashford, Sanço, Foden, Belingham, Mount, Saka, Grealish dhe Rajs. Madje ky turne i ka rritur shifrat për disa. Herri Kejn, me 4 golat e shënuar ndaj Gjermanisë, Ukrainës dhe Danimarkës, nga 120 milionë që vlente 10 ditë më parë, tani ka kapur shifrën e 150 milionëve. Totenhemi ka rezistuar deri tani ndaj tentativave të dy klubeve të Mançesterit. Fabio Paratiçi ka thënë se Kejn është i pashitshëm, por nëse vërtet Siti ofron 150 milionë, muri i “Spurs”-ave do të bjerë. Kejn ishte në merkato para Europianit.
Europiani ka rritur vlerën e Saka (Arsenal) dhe Rajs (Uest Hem), por edhe të lojtarëve si Meguajër (kapiten i Mançester Junajtid), Filips (Lids), Shou (Mançester Junajtid). I pari, i aktivizuar pas dy ndeshjeve të para, e ka bërë mbrojtjen më solide. Filips është një surprizë: puna e Marselo Bielsës i ka dhënë Anglisë një kampion.
Shou, lojtari me më shumë asiste (3), po përjeton momentin më të mirë të karrierës, shumë larg problemeve që kaloi me Mourinjon. Trajneri i Romës ka pranuar publikisht meritat e Shou, duke mbyllur një polemikë të gjatë. Sanço, goditja e madhe e Mançester Junajtid, ka luajtur vetëm kundër Ukrainës, ku konfirmoi kualitetin e tij.
Kjo Angli nuk është vetëm merkato. Është edhe një skuadër historish të mrekullueshme. Si për të përgënjeshtruar Brexit, është çështja e origjinave. Grealish dhe Rajs kanë rrënjë irlandeze. Uollkër, Sterling dhe Filips xhamajkiane. Saka nigeriane. Maguajër spanjolle. Mings nga Barbados, kurse prindërit e Sanços janë nga Trinidad Tobago. Rashford ka gjak nga Saint Kitts Nevis. Babai i Çilluell është nga Zelanda e Re.
Ka edhe një doktor në skuadër: Tripier është diplomuar për mjekësi në 2015-ën. Janë edhe dy “anëtarë” me tituj nga mbretëria e bashkuar: kapiteni i Liverpulit Henderson i vlerësuar për “merita sportive gjatë pandemisë” dhe Sterling “për impenjimin kundër diskriminimit”.
Ka dhe nga ata që kanë lënë histori urie pas krahëve: fëmijëria e Rashford dhe Filips ka qenë në limitet e mbijetesës. “Shpesh duhej të kënaqesha me bukën e shkollës”, - ka thënë Rashford, që ka fituar një betejë pikërisht për çështjen e mensave për nxënësit. Është një Angli, ku një pjesë e mirë e lojtarëve vijnë nga veriu i vendit, më i varfri. Për këtë arsye, impenjimi social është i përhapur. Një Angli vite larg nga qeveria aktuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.