Presidenti i SHBA Joe Biden premtoi të premten në një dalje për mediat se çdo amerikan që dëshiron, do të evakuohet nga Aganistani që tani kontrollohet nga talebanët, ndërkohë që rreth 13,000 janë kthyer deri më tani në Shtetet e Bashkuara.
I përballur me një valë kritikash mbi mënyrën e tërheqjes së trupave amerikane, Biden tha se nuk mund të premtonte se cili do të ishte rezultati përfundimtar në Afganistan, ku Shtetet e Bashkuara luftuan kundër grupit islamik për 20 vjet.
“Është një nga evakuimet më të vështira nga ajri në histori dhe i vetmi vend në botë që ka aftësinë për të shfaqur këtë lloj kapaciteti të fuqishëm në anën tjetër të botës me këtë nivel preçizioni janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha Biden nga Shtëpia e Bardhë.
“Ne do të bëjmë gjithçka, gjithçka që mundemi, për të mundësuar evakuim të sigurt për aleatët tanë afganë, partnerët dhe afganët të cilët mund të jenë në shënjestër për shkak të lidhjeve të tyre me Shtetet e Bashkuara,” tha Biden, duke shtuar se qeveria amerikane do të sillte në vend çdo amerikan që dëshiron të largohet.
Biden tha se SHBA është në “kontakt të vazhdueshëm” me talebanët.
Ai nënvizoi se grupit militant që tani kontrollon vendin i është thënë se ata mund të presin një “përgjigje të shpejtë dhe të fuqishme” nga SHBA nëse ajo angazhohet në ndonjë sulm ndaj amerikanëve.
Ai gjithashtu u zotua se zyrtarët po monitorojnë për çdo sulm terrorist, duke përmendur se si burgjet u zbrazën nga talebanët ndërsa pushtuan vendin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




