Drejtësia

Anëtarja e vettingut dëshmon në SPAK për akuzën se ka fshehur pasurinë

Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja u paraqit këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar në lidhje me dy akuzat e ngritura ndaj saj.

Çiftja akuzohet nga SPAK për deklarim të rremë dhe falsifikim dokumentesh, por megjithëse është nën hetim, ajo nuk është pezulluar nga funksioni si anëtare e KPK-së.

Sa i takon akuzës së ngritur për deklarim të rremë, Etleda Çiftja dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë të cilën nuk e ka deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë.

Çiftja është rasti i tretë nga anëtarët e komisioneve të vettingut të drejtësisë, e marrë nën hetim pas Luan Dacit dhe Ardian Hajdarit, që të dy anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Kush është Komisionerja e KPK, Etleda Çiftja

Çiftja është diplomuar juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ajo është juriste me më shumë se 16 vjet përvojë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave dhe kuadrit rregullator për lejet dhe licencat.

Karrierën e saj, e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001-2009 ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies”, në pozicionin e këshilltares së përgjithshme ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.

Për periudhën 2009- 2017 ka punuar pranë shoqërisë norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”.

Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi si anëtare pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që është shkalla e parë e procesit të vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë