Lojëra me Dore

Andy Murray në Dubai me ‘wild card’ numër 53 në karrierë, rekord për britanikun

Gazeta Si – Tenisti skocez, ish-lider i cirkuitit, rikthehet në fushë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Jo pa protesta nga kundërshtarët.

Çdo ‘wild card’ mund të ketë qenë e merituar gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, por ajo e Andy Murray, ish-numri 1 në botë dhe 3 herë fitues i turneve Slam, aktualisht numri 61 në botë, është kthyer në një çështje të brendshme të tenisit të meshkujve.

Andy Murray, 35 vjeç. Gazeta Si, 12 shkurt 2023

Skocezi, një nga ‘Fab Four’ të tenisit botëror, bashkë me Federer, Gjokoviç dhe Nadal, prej vitesh nuk është më në atë nivel. Pati një gjysmë tërheqje dhe u rikthye në 2019-ën, por pavarësisht kësaj, me emrin e tij, arrin të marrë vëmendjen e spektatorëve. Prandaj dhe ‘wild card’ që ai merr vazhdimisht nga rganizatorët e turneve në botë janë të justifikuar.

Megjithatë, ka edhe polemika, sepse kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi te disa kolegë. Murray do kthehet në fushë në turneun Atp 500 të Dubait, ku do të marrë pjesë, falë ‘wild card’. Një vendim ky që ka ngjallur shumë diskutime dhe debate.

Ish-numri 1 do të marrë ‘wild card’ numër 53 në karrierë, duke barazuar rekordin e Tommy Haas, i pari në këtë klasifikim special, para Goran Ivanisevic (51), James Blake (49) dhe Lleyton Hewitt (45).

Askush nuk ka asgjë personale ndaj 35-vjeçarit, por polemikat nga kolegët më të rinj janë shtuar, pasi ata gjykojnë se skocezi po u merr vendin. Murray gjithsesi duket në një formë shumë të mirë pas Australian Open, ku arriti deri në turin e tretë dhe bëri një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Thanasi Kokkinakis.

Nuk mund të mohohet, emocionet që ende Murray arrin të japë për të pasionuarit nuk janë të krahasueshme me ato të një pjese të madhe tenistësh, ndaj dhe ‘wild card’ e ka pasur gjithmonë pjesë të karrierës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë