Gazeta Si – Mbreti Charles III ka filluar procesin për të revokuar titujt e Princit Andrew, vëllait të tij më të vogël të përfshirë në skandale serioze vitet e fundit, përfshirë marrëdhënien e tij me biznesmenin amerikan, Jeffrey Epstein, një abuzues seksual i dënuar që vdiq në rrethana të dyshuara në burg.
Pallati i Buckingham njoftoi vendimin, duke konfirmuar se është një hap “formal” që synon ripërcaktimin e statusit të Dukës së Jorkut brenda familjes mbretërore.
Që tani e tutje, Andrew do të quhet thjesht Andrew Mountbatten-Windsor dhe do të duhet të heqë dorë nga privilegjet dhe titujt që e lidhnin atë me monarkinë.
Ai gjithashtu do të duhet të lirojë rezidencën e tij në Royal Lodge në Windsor dhe të zhvendoset në “lagje private”.
Tani ai do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor. Në deklaratën e Pallatit Buckingham thuhet se shtëpia prej 30 dhomash në Windsor që ai e ndan me ish-gruan, Sarah Ferguson, “deri më sot i ka siguruar mbrojtje ligjore për të vazhduar rezidencën. Njoftimi zyrtar është dërguar për të dorëzuar pronën dhe ai do të vendoset në një banesë alternative private”, thuhet në njoftim.
“Këto censura shihen të nevojshme, pavarësisht se ai vazhdon të mohojë akuzat ndaj tij. Madhëria e tij do që ta bëjë të qartë se mendimet dhe ngushëllimet e tyre kanë qenë dhe janë me viktimat dhe të mbijetuar e çdo lloji abuzimi”, përmbyll njoftimi.
Deklarata është mirëpritur nga familja e së ndjerës Virginia Giuffre, e cila e akuzonte princin për sulm seksual, edhe pse ai e ka mohuar vazhdimisht.
Sipas Sky News, Andrew do të vendoset në një pronë në Sandrigham në Norfolk që do të financohet privatisht nga mbreti. Gjithashtu mendohet se Charles do të mbështesë financiarisht Andreë, edhe kjo privatisht.
Sarah Ferguson, e cila e humbi titullin si Dukesha e Jorkut kur Andrew dorëzoi titujt e tij, do ta sigurojë vetë jetesën. Fëmijët e tyre, princeshat Beatrice dhe Eugenie, do t’i mbajnë titujt sepse janë vajzat e djalit të një sovrani.
Andrew vazhdon të përballet me kritika të forta për lidhjen e tij me Jeffrey Epstein dhe akuzat nga një prej viktimave.
Virginia Giuffre ka thënë se ai ka abuzuar tri herë me të dhe detajet janë përshkruar edhe më hollësisht në librin e saj që u publikua javën e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



