Fatjon Rupi – Epoka ‘Silvinjo’ ka nisur shumë mirë, ndoshta më mirë nga sa pritej. Jo për 6 pikët e fituara në 3 ndeshjet e para eliminatore, sepse në fund të fundit Shqipëria ka bërë detyrën, por më së shumti për atë që skuadra ka dhënë në fushë: entuziazmin, lojën, kompaktësinë, personalitetin dhe cilësinë. Jemi të dytët në Grupin E dhe kemi mundësi reale për të qenë për herë të dytë në Europian.
Andi Lila, ish-lojtar i Kombëtares, sot në rolin e opinionistit sportiv, thekson në një intervistë për Gazeta Si se është i impresionuar nga impakti i Silvinjos në Kombëtare. Ai e vlerëson si një njeriun e duhur në këtë moment për të drejtuar këtë brez mjaft cilësor lojtarësh që kemi. Kavajasi vlerëson së tepërmi qasjen profesionale dhe taktike të trajnerit brazilian.

Andi, Shqipëria renditet e dyta në grup pas dy fitoreve të fundit, duke krijuar një atmosferë shumë të mirë. Le ta nisim nga trajneri, a është Silvinjo trajneri që mund të na çojë në Europian?
Patjetër që po. Silvinjo i përket brezit të ri të trajnerëve, me një cv shumë të pasur si lojtar dhe si trajner. Isha i bindur edhe para ndeshjeve se do të bënte mirë, tani jam edhe më i sigurt se ai është njeriu i duhur në këtë moment për Shqipërinë, për brezin e lojtarëve që kemi. Më pëlqen shumë, me impresionon për mënyrën si sillet, përcjell energji pozitive kudo. Shoh mënyrën si sillet me lojtarët në fushë dhe jashtë saj, por edhe intervistat pas ndeshjeve, ku është shumë i përulur. Një trajner me këmbë në tokë, që mund të na ndihmojë shumë.
Mund ta konsiderojmë ‘yllin’ e Kombëtares sonë?
Unë mendoj se ylli i skuadrës sonë është vetëm grupi. Edhe nëse vjen Ançeloti, supozojmë, sërish Shqipëria do të ecë mirë vetëm nëse grupi funksionon. Dhe Silvinjo për këtë ka merita të mëdha për dy fitoret që kemi arritur, sepse ka krijuar frymën e grupit dhe po arrin të marrë më të mirën.
Shqipëria ka luajtur mirë në tria ndeshjet me Silvinjon, edhe në Poloni, pavarësisht se humbëm. Kemi marrë 6 pikë në dy ndeshjet e fundit, por e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke luajtur mirë, me ekuilibër, kemi krijuar raste, e kemi dominuar kundërshtarin, kemi qenë kompaktë në fushë.

Përveç entuziazmit dhe pozitivitetit që trajneri transmeton dhe që e shohin të gjithë, po taktikisht, çfarë ka bërë ndryshe Silvinjo?
Dua të flas pak për këtë pjesë, edhe pse e di që njerëzve ndoshta nuk u pëlqen shumë. Silvinjo ka ndryshuar skemën e Rejës, që preferonte 3-5-2. Trajneri aktual ka zgjedhur të luajë me 4 mbrojtës dhe dy mesfushorë përpara këtij reparti, një mesfushor shkatërrues dhe një ndërtues. Mendoj se ‘sekreti’ apo gjetja e skemës së Silvinjos janë krahët, sulmuesit anësorë apo ‘uingerat’ siç quhen në futbollin e sotëm.
Ai ka gjetur lojtarët e duhur për këto role, Asanin dhe Uzunin, duke i pozicionuar në krahun e kundërt të këmbës së tyre të preferuar. Uzuni dhe Asani janë driblues të mirë, ata futen drejt qendrës dhe godasin portën kundërshtare, kjo është shumë pozitive për skuadrën tonë. Por mbi të gjitha Kombëtarja jonë ka ekuilibër në lojë, është një skuadër e shkurtër, që mbron mirë dhe sulmon mirë në grup.
Asani më parë nuk ishte marrë në konsideratë, tani luan titullar, ndërkohë që Ramadani duket se ka dalë një zgjedhje e parë për qendrën e mesfushës. Si i vlerësoni këto zgjedhje?
Po e filloj nga Ramadani, që është një lojtar shumë i fortë. Ndoshta loja e tij bie më pak në sy se e të tjerëve, por ai është shumë i rëndësishëm në lojën mbrojtëse, në atë që quhet tranzicioni negativ. Me Ramadanin në fushë Shqipëria nuk është aq e rrezikuar nga kundërsulmet e kundërshtarit. Është një lojtar që nuk e humb topin dhe ka një formë shumë të mirë, ka luajtur më shumë se të gjithë sezonin e fundit me skuadrën e tij.

Kurse për Asanin, të cilin e kam parë që kur luante me Partizanin, do të thosha se është një lojtar shumë i mirë, me kualitet dhe shumë i fortë në lojën një kundër një. Ajo që më bën përshtypje është se është përshtatur shumë mirë.
Po të llogarisim edhe Kumbullën, Brojën, Balliun dhe Gjasulën që nuk i kishim në këto ndeshje, a mund të flasim për një Shqipëri të frikshme, një skuadër me shumë alternativa?
Sigurisht, do të jemi edhe më të fortë me këta lojtarë, që janë të gjithë shumë të mirë, por e ritheksoj se për ne gjithmonë rëndësi ka grupi. Kemi edhe Mihajn, i cili me Poloninë luajti shumë mirë. Kumbulla ka kualitet, ashtu si dhe Gjasula, që na duhet, kurse Broja pastaj është tjetër nivel. Luan me një nga klubet më të mëdha në botë, ashtu si Asllani me Interin.
Do të thosha se ‘zbulimi’ i trajnerit Silvinjo në dy ndeshjet e fundit është Mario Mitaj. Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe mendoj se kemi fituar mbrojtësin e majtë të së ardhmes, një Ansi Agolli të ri. Nuk ka më nevojë që të spostojmë Hysajn në të majtë, Mitaj është një lojtar me cilësi.

Kemi bërë detyrën me Moldavinë dhe Ishujt Faroe dhe tani besojmë më shumë për Europianin, por sa shanse kemi realisht për këtë objektiv, si ju në 2016-ën?
Me humbjen e Polonisë në Moldavi shanset realisht janë rritur. Me të drejtë jemi më entuziastë se më parë, sepse loja e Kombëtares na jep shpresë, por dy sfidat e vërteta tonat janë ato të shtatorit, kur do të luajmë me Çekinë në transfertë dhe Poloninë në fushën tonë. Këto dy ndeshje do të tregojnë shumë për objektivin e Euro 2024.
Kanë të bëjnë edhe kombinimet e rezultateve të rivalëve, sigurisht, por ka shumë rëndësi që në shtator të shkojmë në formën më të mirë sportive, me grup të plotë dhe të marrim rezultate pozitive. Me këtë paraqitje që kemi bërë dhe me këtë atmosferë shumë pozitive që është krijuar, të gjithë kemi besim se diçka e mirë po vjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




