Gazeta Si – Trajneri italian, i kërkuar me ngulm nga Federata Braziliane e Futbollit, lë të hapur edhe opsionin e zgjatjes së kontratës me Realin, që skadon në qershor.
“Do të pres Madridin deri ditën e fundit”, – ka thënë së fundi Karlo Ançeloti. Një fjali që ‘ngrin’ Brazilin në një moment krize. Në Rio de Zhaneiro presin trajnerin aktual të Realit, pasi të gjithë e konsiderojnë si njeriun e duhur për të udhëhequr Seleçon.

Kështu mendon edhe Ednaldo Rodrigues, presidenti i Federatës Braziliane, që prej kohësh e quan punë të mbaruar firmën me Ançelotin. Nuk është kështu sipas trajnerit italian. Ai është treguar i gatshëm për të marrë drejtimin e Brazilit, por nëse nuk rinovon kontratën me Realin, që skadon më 30 qershor 2024.
Në Madrid në fakt duket se po planifikojnë seriozisht një akord të ri me Ançelotin. Nga 1 janari 2024 trajneri është i lirë të kontaktojë me klube të tjera, apo me një kombëtare, si në rastin konkret, drejtuesit e Realit e dinë shumë mirë. Brazili është tronditur fort nga humbjet e fundit dhe tani po insiston më shumë për pasardhësin e trajnerit të përkohshëm, Fernando Diniz.
Sipas radios madrilene ‘Onda Cero’, Florentino Perez ka gati ofertën e rinovimit për Ançelotin. Trajneri është gati ta dëgjojë presidentin dhe pse jo ta pranojë ofertën e tij. Prandaj dhe ka pohuar se do ta presë Realin Deri ditën e fundit.
“Së shpejti do të mësohet diçka”, – ka shtuar Karlo Ançeloti. Tani ‘topi’ është në fushën e Realit, ndërsa Brazili në anën tjetër shpreson shumë që në verë të ketë në stol italianin. Nëse ai ikën nga Reali, Ksabi Alonso është kandidati numër 1 për ta zëvendësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




