Nga Gazeta 'SI' - Emigrimi i shqiptarëve në dy dekadat e fundit rezulton me një dalje të njerëzve kryesisht në moshë pune, duke reduktuar kështu fuqinë punëtore të vendit. Kapitali njerëzor, sipërmarrja dhe rrjedhimisht rritja e PBB-së e llogaritur nga ana e ofertës kanë ndikuar në një rritje të kufizuar të ekonomisë, pikërisht nga ndikimi madhor që vjen nga mungesa e një pjesë aktive të tregut të punës dhe sipërmarrjes, thekson një analizë e qendrës Altax.
Studimi thotë se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.
Ky efekt ka ndikuar edhe mbi pagat dhe produktivitetin edhe pse në dy dekadat e fundit, prurjet e remitancave kanë rritur kërkesën agregate për mallra dhe shërbime duke kompensuar efektet munguese nga investimet e huaja dhe prodhimet vendase.
Studimi e ndan në 3 periudha emigrimin e shqiptarëve. Periudha 1992-2000 kur në Shqipëri hynë 3.8 mld dollarë dërgesa. Për periudhën 2001 – 2010 remitancat e hyra në ekonominë shqiptare janë mesatarisht në 15.2 miliard dollarë amerikanë për periudhën 2011 – 2023 remitancat e hyra në ekonominë shqiptare janë mesatarisht në 8.9 miliard Euro.
Kur krahasohet numrin e të larguarve sipas dekadave, me numrin e fuqisë punëtore, shihet se ndikimi më i madh është pikërisht në dekadën e parë dhe të tretë, pasi largimi ka ndodhur masivisht në ato grupmosha që përbëjnë edhe fuqinë e aftë për të punuar.
Po kështu edhe rritja ekonomike në këto dy dekada, shihet se ka ndikim prej largimit të fuqisë punëtore, pasi në shumicën e viteve ka një rritje në nivele mesatare jo më të lartë se 3.3%. Ndërkohë, dekada e dytë mbetet më e qëndrueshme në këtë analizë të të dhënave, për arsye të rritjes së konsumit nëpërmjet rritjes së shumës së remitancave, por edhe një largimi më të vogël të fuqisë punëtore.
Ky ndikim ka mbetur i pazëvendësueshëm me hyrje të reja dhe burime shtesë nga njerëzit që janë rezidentë duke patur një efekt frenues në zhvillimin e një sipërmarrje me element konkurueshmërie, por edhe një fuqi punonjëse aktive dhe me kapacitete në rritje për ndikimin në produktivitetin e ekonomisë. Ndikimi i emigracionit në këtë drejtim pritet të jetë pa mëdyshje edhe në vijimësi negativ, nëpërmjet “ikjes së trurit” dhe uljes së produktivitetit.
Analiza e Altax thekson se efekti direkt i remitancave, përveç rritjes së konsumit familjar dhe prurjeve të parave nga jashtë në sektorë që janë të ndikuar edhe nga informaliteti dhe paraja informale, natyrisht që nuk bëjnë dot zëvendësimin e fuqisë dhe burimeve të emigrantëve me paratë që ata dërgojnë për një jetesë në nivelet konsumit familjar dhe kërkesës për mallra dhe shërbime në nivele që nuk ndikojnë dot ekonominë prodhuese dhe rritjen e produktivitetit të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.