Kombetarja

Analiza e Redi Jupit: Panuçi i pasigurtë, e ardhmja një rebus

Kombëtarja shqiptare luajti dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, ku fitoi 1-0 me Izraelin në “Elbasan Arena” dhe u mund 2-0 në të famshmin “Hamdem Park” të Skocisë. Tri pikë dhe vendi i dytë në Grupin 1, Liga C e këtij kompeticioni. 180 minuta që kanë lënë pas jo pak dyshime në lidhje me të ardhmen e kuqezinjve dhe mbi të gjitha të trajnerit Kristian Panuçi, pavarësisht se ky i fundit është “i mbrojtur” nga 3 pikët dhe vendi i dytë. Kritikat për italianin ishin të shumta pas humbjes në Skoci, ndërsa presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dha besimin publikisht drejtuesit të stolit kuqezi, pasi gjykon se atij i duhet kohë dhe se nuk është “koha e llogoreve”.

Po çfarë dyshimesh kanë ngritur këto dy ndeshje për të ardhmen e Shqipërisë? Çfarë nuk shkoi në paraqitjen e Kombëtares dhe çfarë duhet bërë për t’i zgjidhur këto probleme? Analizën teknike profesionale e bën për Gazeta “Si” ish-futbollisti i Kombëtares dhe ish-trajneri i ekipit Shpresa, Redi Jupi. Specialisti që sapo ka çelur akademinë e tij të futbollit, “Football Republic”, evidenton problematikat kryesore të lojës dhe drejtimit të Kombëtares, që duhet të marrin zgjidhje sa më parë, sepse aktualisht e ardhmja e duket një rebus i vërtetë.

Kombëtarja e Shqipërisë para ndeshjes me Izraelin

Rezultatet dhe loja

Në një gjykim të ftohtë, 3 pikë në 2 ndeshje nuk janë keq. Por rëndësi ka si funksionuar ekipi: “Në aspektin e rezultateve të dy ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve, nuk është se na mungon gjë. Të humbësh në Skoci është e pranueshme, por ajo që na mungon është loja. Shqipëria nuk ka bindur në këto dy ndeshje, edhe ndaj Izraelit, pavarësisht fitores. Ka ndeshje që mund t’i humbësh, por bind në lojë, siç ka dhe ndeshje që i fiton dhe nuk bind në lojë. Shqipëria nuk bindi në lojë as me Izraelin dhe as me Skocinë. Nuk janë justifikim mungesat që kishte Kombëtarja, sepse shumë rrallë ndodh që një kombëtare të luajë më të njëjtët lojtarë në dy apo tri ndeshje radhazi. Gjithmonë ka ndryshime. Gjatë një viti lojtarët kanë problematika të ndryshme me gjendjen fizike, që lidhen me klubet e tyre dhe asnjëherë nuk janë të gjithë të gatshëm për kombëtaren. Gjykimi im është se ndeshja në Skoci duhej të niste me formacionin e pjesës së dytë ndaj Izraelit, që luajti më mirë. Logjikisht, nuk kishte pse të ndryshonte, pastaj varej si shkonte loja”, – shprehet Jupi.

Pasiguritë e trajnerit dhe lista

Redi Jupi thekson më tej faktin se trajneri Kristian Panuçi nuk është as vetë i bindur në zgjedhjet e tij, ndërkohë që ka rezerva për listën e të grumbulluarve prej italianit në dy ndeshjet e fundit: “Ajo që kuptohet pas këtyre dy ndeshjeve është se trajneri Panuçi ka shumë pasiguri në vetvete. Kuptohet nga listat e lojtarëve që ai bën dhe nga formacionet që ndërton. Personalisht, mendoj se për këto dy ndeshjet e fundit nuk janë grumbulluar lojtarët më të mirë, ata që janë më në formë për momentin. Nuk dua të përmend emra, sepse nuk është mirë. Pra, së pari kam rezerva për listën, që realisht është detyra më e vështirë për një trajner. E gjithë puna e një trajneri të një ekipi kombëtar është pikërisht hartimi i duhur i asaj listës me 23 lojtarë. Nuk është aspak e lehtë. Dhe nga listat e trajnerit Panuçi kuptohet që ai ka shumë pasiguri. Një “x” lojtar grumbullohet një apo dy ndeshje, luan dhe më pas zhduket. Një lojtar tjetër nuk grumbullohet për disa ndeshje, më pas thirret, bëhet edhe kapiten në një ndeshje, siç është rasti i Hykës, dhe në ndeshjen tjetër nuk luan asnjë minutë. Po ashtu, një lojtar grumbullohet kur nuk ka luajtur dhe lihet jashtë kur luan rregullisht dhe është në formë të mirë. E gjitha kjo situatë tregon pasigurinë dhe paqartësinë e trajnerit në zgjedhjet e veta.

Kristian Panuçi, trajneri i Kombëtares

Pastaj, nuk kemi një fizionomi të qartë loje. Skuadra në fushë merr fytyrën e trajnerit, kurse Kombëtarja jonë nuk ka një strategji loje, si duhet të mbrohet dhe si duhet të sulmojë. Nuk e ka fytyrën e trajnerit. Ne jemi një Kombëtare e vogël dhe për shumë e shumë vite do të mbetemi kështu. Së pari, duhet të jemi të qartë si do të mbrohemi ndaj kundërshtarit me lojtarët që kemi, pastaj si do të sulmojmë. Duhet të kemi një bosht, ku të mbështetmi në mënyrën e lojës. Edhe më parë ka pasur lojtarë që nuk luanin me klubet e tyre, por në Kombëtare kanë qenë pika kyçe. Trajnerë të ndryshëm në botë e mbështesin filozofinë e tyre të lojës në parime të caktuara dhe u qëndrojnë besnik atyre. Shqipëria ka konfuzion, nuk e ka fizionominë e saj në lojë”, – ka argumentuar Jupi. 

Arroganca e italianit

Është folur ditët e fundit për një sjellje arrogante të trajnerit Panuçi dhe për një komunikim të munguar mes tij dhe grupit të futbollistëve. Madje, trajneri i Bazelit U-21 dhe ish-lojtari i Kombëtares, Arjan Peço, e ka ngritur si problem këtë mënyrë sjellje të trajnerit kuqezi, të cilin e quan prepotent. Për ketë çështje Jupi ka këtë koment: “Nuk e dimë këtë pjesë, sepse nuk kemi qenë aty, por mund të them se një trajneri mund t’i pranohet arroganca, kur ai e ka treguar veten në anën profesionale me rezultate. Pranohet arroganca e një trajneri, kur ai e ka kokën plot, siç është për shembull rasti i Mourinjos, i cili është arrogant, dihet, por ka fituar gjithçka. Panuçi nuk na ka treguar deri tani se është i aftë të ndërtojë një ekip fitues”.

Trajneri Panuçi dhe lojtarët e Kombëtares pas fitores me Izraelin  

E ardhmja rebus, koha e humbur

Specialistin kryeqytetas e shqetëson më shumë e ardhmja e Kombëtares: “Do të fillojnë ndeshjet eliminatore të Europianit dhe në atë kohë gjithçka duhet të jetë e qartë në ekip. Kjo është Kombëtarja jonë, kjo është koha jonë e humbur, sepse siç e thashë, trajneri nuk ka qartësi. Për momentin, pas ndeshjeve miqësore dhe këtyre të fundit të Ligës së kombeve, gjithçka është një rebus dhe nuk ka garanci për të ardhmen. Nuk ka qartësi. Trajneri duhet të na tregojë diçka në ndeshjet në vazhdim”, – ka përfunduar Jupi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë