Interi ka dalë nga derbi me një shije të hidhur në gojë dhe me pengun e rasteve të humbura, por edhe me një mesazh të qartë për Milanin dhe Napolin: lufta për titullin nuk do të jetë një garë dyshe.
Simone Inzagi e sheh gotën gjysmë bosh, por është i ndërgjegjshëm për kompaktësinë dhe potencialin e skuadrës edhe kur Barela nuk është motori i zakonshëm në fushë, kur Lautaro Martinez gabon nga pika e bardhë dhe zgjat “agjërimin” e golit dhe kur Xheko bën shumë punë “të pistë” përpara, por nuk është efikas.

Ai që shkëlqen është Çalhanoglu. Turku ka treguar karakter dhe forcë ndaj ish-skuadrës dhe ish-tifozëve të tij, duke bërë paraqitjen më të mirë që kur ka veshur fanellën zikaltër. Trajneri Inzagi e preferoi para Vidalit në formacion dhe turku ia shpërbleu, mori topin për të gjuajtur penalltinë poshtë tribunës së tifozëve të Milanit dhe pastaj festoi me një gjest provokues, duke vendosur duart te veshët.
Një paraqitje super me gol ndaj Xhenoas dhe pastaj shumë dyshime dhe ndeshje anonime. Në apelin e Interit për ndeshjen më të rëndësishme mungon Lautaro Martinez, i cili ka gabuar në 3 nga 6 penalltitë e fundit që ka gjuajtur me Interin dhe që nuk shënon prej më shumë se një muaji. Argjentinasi, i cili sapo ka rinovuar kontratën, ka një rënie prej disa javësh dhe Inzagi duhet ta rikuperojë me urgjencë.

Një barazim në derbi do të thotë një tjetër sfidë direkte rivalësh pa fitore, pas ndeshjeve me Atalantën, Juventusin dhe Lacion, ku zikaltrit kanë qenë në avantazh. Me rifillimin e kampionatit pas ndeshjeve ndërkombëtare, është radha e sfidës me Napolin në “San Siro” dhe ky është shansi për të shkurtuar diferencën e pikëve në renditje, nëse skuadra e Spaletit do ta lejojë.
Gjatë kësaj kohe duhet vlerësuar gjendja e Barelës, i cili la fushën para kohe ndaj Milanit, pas një problemi në kofshën e djathtë, por edhe të Edin Xhekos, që gjithashtu ka pasur probleme fizike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




